Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, Foto: Balkan Insight/MIA

Bisedimet për referendumin në Maqedoni përfundojnë pa marrëveshje

Bisedimet maratonike mes liderëve të lartë politikë në Maqedoni, që synonin heqjen e bllokadës së opozitës për referendumin e planifikuar në vend për marrëveshjen historike me Greqinë për emrin, morën papritur një kthesë “të errët” të hënën, duke përfunduar me dështim.

Në fjalimin e tij publik pas bisedimeve të së hënës, kryeministri maqedonas dhe udhëheqësi kryesor i social-demokratëve, Zoran Zaev akuzoi shefin e opozitës nga VMRO-DPMNE, Hristijan Mikovski se “po gënjen” se ai dëshiron që vendi i tij të bashkohet me NATO-n dhe BE-në dhe po fshehë synimet e vërteta në bisedime.

“Për fat të keq, Hristijan Mickovski nuk arriti të njihte momentin. Në vend që të hipte në trenin që shkon drejt BE-së dhe NATO-s, ai zgjodhi të qëndronte në anën e errët të historisë”, tha Zaev.

Zaev akuzoi Mickovskin se ka përgënjeshtruar qëllimin e tij për të arritur një marrëveshje që do të heqë bllokadën e partisë së tij gjatë referendumit të ardhshëm, edhe pse partitë në pushtet i përmbushën të gjitha kërkesat e tij formale.

Ai pretendon se Mickovski është duke e  zvarritur në përpjekje për të negociuar një amnisti për “mentorin” e tij politik, duke iu referuar ish-liderit të VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, i cili aktualisht është duke u gjykuar, së bashku me ish-anëtarët e tjerë të kryesisë së partisë,  me akuza të ndryshme të ngritura ndaj tij nga Prokuroria Speciale, të përqendruara rreth përgjimeve të paligjshme të lëshuara në vitin 2015.

Takimi maratonik i së hënës midis drejtuesve të katër partive politike kryesore, ishte përpjekja e tretë për një marrëveshje, pasi dy takimet e mëparshme nuk arritën të japin rezultate javën e kaluar.

Mickovski më parë hodhi poshtë spekulimet se blloku kryesor pengues në bisedime ishte këmbëngulja e opozitës për ndryshimet në kodin penal me qëllim që të përfshijë një amnisti joformale për ish-udhëheqësit dhe zyrtarët e partisë.

Më parë gjatë ditës, duket sikur bisedimet po lëviznin drejt një marrëveshje kur të dyja palët u thoshin mediave se qeveria kishte pranuar të gjitha kërkesat zyrtare të opozitës, duke përfshirë formimin e një qeverie teknike, 100 ditë përpara zgjedhjeve të ardhshme, për të siguruar drejtësinë e tyre.

Në shkëmbim, opozita, e cila kundërshton marrëveshjen me Greqinë, pritej të ndalonte bllokimin e emërimit të komisionit zgjedhor në parlament, i cili do të kishte për detyrë të organizonte referendumin dhe t’i thërriste mbështetësit e saj për të marrë pjesë në votim.

Pjesëmarrja e opozitës është vendimtare për suksesin e referendumit. Pa të, shumë vëzhgues thonë se do të jetë shumë e vështirë të arrihet një prag votimi prej 50 për qind e të gjithë votuesve.

Qëllimi kryesor i marrëveshjes historike me Greqinë, e nënshkruar më 17 qershor, ishte që Greqia të përfundojë bllokimin e saj të gjatë të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia ra dakord të ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë Veriore, ndërsa Greqia ra dakord që ta heqë veton për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.

Megjithatë, për të zbatuar marrëveshjen, maqedonasit duhet të tregojnë se e mbështesin atë në një referendum.

Qeveria e drejtuar nga socialdemokratët dëshiron që votimi të mbahet në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, kështu që ka kohë për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese deri në fund të vitit.