Radovan Karaxhiq në sallën e gjyqit. Foto: ICTY

BIRN publikon një libër elektronik për gjyqin e Radovan Karaxhiqit

Përpara dhënies së vendimit për krime lufte të ish-liderit politik serb të Bosnjës të kohës së luftës Radovan Karaxhiq këtë javë, BIRN ka mbledhur të gjitha raportimet që ka bërë mbi këtë çështje historike në një libër elektronik që mund të shkarkohet falas.

BIRN publikoi të martën një e-book të ri të titulluar “Radovan Karaxhiq: Vitet në gjyq të liderit të kohës së luftës”, para vendimit përfundimtar të gjyqit të ish-presidenti serb të Bosnjës të kohës së luftës i cili do të jepet më 20 mars.

Libri elektronik, i cili mund të shkarkohet pa pagesë, përmban të gjitha raportet e BIRN mbi këtë rast që nga koha kur Karaxhiqi ishte në arrati deri në çastin kur ai u kap dhe ekstradua, dhe gjatë të gjithë gjyqit që erdhi pas kësaj.

I botuar në anglisht dhe në gjuhën boshnjake/kroate/serbe, ai përfshin mbi 570 artikuj dhe përmban më shumë se 1,100 faqe.

Ky është libri i tretë elektronik i botuar nga BIRN. I pari ishte një e-book që përmbante raportime dhe analiza për Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndërsa i dyti ishte një përmbledhje e raporteve mbi gjyqin e Ratko Mlladiq.

Gjyqi i Karaxhiqit filloi në vitin 2009, zgjati 499 ditë dhe u dëgjuan 586 dëshmitarë.

Ai u akuzua fillimisht nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në vitin 1995. Ai pastaj kaloi 12 vjet në arrati dhe më në fund u arrestua në Beograd në vitin 2008 dhe u ekstradua në gjykatën e OKB-së.

Vendimi i shkallës së parë i dhënë në vitin 2016 e gjeti atë fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, persekutimin dhe shfarosjen e kroatëve dhe boshnjakëve nga 20 komuna në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe si pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale për të terrorizuar popullsinë civile të Sarajevës gjatë rrethimit e qytetit. Ai u gjet gjithashtu fajtor për marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Për të shkarkuar e-book-un, klikoni këtu.