BIRN prezanton raportin për të drejtat e gruas në trashëgimi

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave për të kërkuar të drejtat e tyre në trashëgimi”, Zyra e BIRN në Kosovë është duke e mbajtur tryezën mbi të drejtat e pronës dhe trashëgimisë dhe analizën se si ligji përfaqëson gratë.

Në tryezë po marrin pjesë prokurorë, gjyqtarë, avokatë, noterë dhe përfaqësues te shoqërisë civile.

Analiza dhe sugjerimet nga kjo tryezë do të përfshihen në përpilimin e kërkesës për ndryshim të ligjit, nga BIRN Kosova.

Labinot Leposhtica, Koordinator i Projektit të Monitorimit në BIRN, prezantoi rekomandimet rreth reformës në ligjet që kanë të bëjnë me të drejtat pronësore.

“Shumë çështje që janë ngritur viteve të fundit nuk janë zgjidhur, rasti i fundit sinonim është rasti i Shyhrete Berishës një grua që një dekadë është duke u përballur me kunetërit e saj për pronën që i takon”, tha Leposhtica.

“Ne si BIRN e kemi ngritur çështjen që bashkëshorti pasjetues ta trashëgojë atë që do të kishte mundur ta trashëgojë bashkëshorti sa është gjallë”, shtoi ai.

Leposhtica tha se ish ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe ministri aktual, Abelard Tahiri, e kanë mbështetur këtë propozim por nuk e kanë trajtuar.

“Çështje që ne e kemi rekomanduar është edhe procedura që duhet të ndjekin noterët në rastet e trashëgimive. Projektligji për procedurën kontestimore risinë që e parasheh është ndryshe nga tani, projekt ligji i ri ka përcaktuar se rastet e trashëgimisë të trajtohen vetëm te noteri ne si organizatë kemi pasur për qëllim ta mbështesim një propozim të tillë, më pas kanë ardhur propozime të tjera dhe tani është kontestuese”, tha ai.

Sipas Leposhticës, ndryshime pozitive në projekt ligjin për trashëgimi është neni 3 i cili për të njohur trashëgiminë siç ka qenë më herët 5 është kthyer në periudhë 3 vjeçare.

“Ndryshim tjetër pozitiv është edhe ai që prek nenin 130. Kjo dipsozitë forcon procedurat për të mitur në rastet kur të miturit heqin dorë nga trashëgimia duhet të kenë kujdestar ligjor”, tha ai.

“Njëri prej segmenteve të punës sonë është monitorimi i seancave gjyqësore ku palë kanë qenë vajzat dhe gratë nga këto monitorime kemi gjetë disa shkelje dhe anashkalime”, tha Labinot Leposhtica.

Ky projekt mbështetet nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.