BIRN nis platformën e re të raportimit ndër-kufitar

Platforma e re e BIRN-it për demokracinë, do të publikojë gazetari hulumtuese, e cila kontrollon gjendjen e demokracisë në shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, nisi të hënën një platformë ndër-kufitare të gazetarisë, që synon të ndriçojë çështjet që prekin shëndetin e demokracisë përgjatë një brezi të Evropës, të prekshëm ndaj popullizmit dhe autoritarizmit në rritje.

Raportimi i Demokracisë zgjeron mbulimin e BIRN-it, nga Ballkani për në të ashtuquajturit Grupi i Vishegradit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, siç janë Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria.

Platforma e re, vjen në kohën kur evropianët po përgatiten të votojnë në zgjedhjet e BE-së, për të cilat sondazhet sugjerojnë se mund të sjellin përfitime të mëdha për nacionalistët e ekstremit të djathtë, euroskeptikët dhe mbështetësit e llojit të “demokracisë jo liberale” të përkrahur nga kryeministri hungarez Viktor Orban.

“Demokracia është në një udhëkryq në Evropë, pasi alternativat autoritare hyjnë në rrjedhën kryesore dhe kërcënojnë të prishin bazat si liria e medias, pavarësia e gjyqësorit, të drejtat e pakicave dhe respektimi i sundimit të ligjit,” tha redaktori i Raportimit të Demokracisë, Timothy Large.

“Qëllimi është që të vendosim një gazetari rigoroze dhe faktike, për të punuar në ekspozimin e trendeve dhe zhvillimeve që do të formësojnë demokracinë, për të mirë ose për të keq, dhe për të parë gjërat nga perspektiva ndërkufitare”.

Përveç ofrimit të analizave të thelluara nga korrespondentët e BIRN-it në 14 vende, Raportimi i Demokracisë, do të mbështesë mediat e pavarura në të gjithë rajonin, duke komisionuar rrëfime nga gazetarët vendas dhe duke ofruar grante për hulumtimet ndërkufitare.

Projekti mbështetet nga Fondacioni ERSTE, aksionari kryesor i bankës austriake Erste Group, e cila gjithashtu financon programin kryesor të BIRN-it për Bursat e Ballkanit për Ekselencë në Gazetari, të cilat ka 13-të vite që ndahen.