BIRN mban debat në Pejë rreth zbatimit të rekomandimeve të Auditorit

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), ka organizuar debat rreth zbatimit të rekomandimeve të Auditorit nga Komuna e Pejës.

Visar Prebreza, redaktor i Gazetës ‘Jeta në Kosovë’, ka thënë se BIRN-i i ka analizuar katër auditorët e fundit për Komunën e Pejës dhe se qëllimi ka qenë që të shihet trendi se nga po shkon procesi dhe a po zbatohen rekomandimet e auditorit në masë më të madhe nga ana e komunës.

“Për katër vjet kanë dalë 71 rekomandime, në pjesë për Komunën e Pejës. 14 prej tyre janë adresuar plotësisht, ndërsa 20 janë adresuar pjesërisht. Nga të gjeturat e auditorit të brendshëm ka pozitivitet dhe me kalimin e viteve ka përmirësime. Nuk ka rekomandime për zbatimin e rekomandimeve të auditorit të brendshëm kjo i bie që Komuna e ka zbatuar një pjesë të mirë të rekomandimeve”, tha ai.

Sipas Prebrezës, shqetësim i madh jo vetëm për Pejën, por edhe komunat e tjera është grumbullimi i borxheve që bizneset kanë ndaj komunave si dhe mos pagesa e tatimit në pronë, licenca apo qiraja.

“Borxhet që janë grumbulluar ndaj komunës shkojnë prej 14 deri në 16 milionë euro. Mbetet të shihet sa do të jetë borxhi në vitin 2018. Mangësi ka edhe në ndarjen e subvencioneve, përkatësisht, mos raportimi i përfituesve të subvencioneve, edhe pse ka përmirësim edhe në këtë drejtim por jo plotësisht”, shtoi ai, duke shtuar se ka vërejtje edhe në çështjet e punësimeve të mësimdhënësve dhe për punësimet e personave me kontratë mbi vepër.

Prebreza shtoi se Komuna e Pejës ka qenë njëra prej komunave të para që i ka hapur kontratat.

“Të gjitha zotimet që bëhen në këtë takim do t’i masim në Krypometër”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunë së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se komuna e tij është në vend të parë për zbatim të rekomandimeve të Auditorit dhe se në vitin 2017 ka marrë raportin më të mirë të auditimit.

“Komuna e Pejës ka adresuar 47 për qind të çështjeve. Është lider në 38 komuna që më së shumti kemi adresuar të gjetura për Auditorin e Përgjithshëm.

Sa i përket borxheve ndaj komunës, kryetari Muhaxheri tha se kanë pasur probleme me kioska të cilat nuk kanë qenë në funksion.

Muhaxheri shtoi se mbi 1500 prona të komunës janë të uzurpuara, prej viteve 70-ta deri më 2018.

“Nuk mund t’i lirojmë të gjitha por një pjesë e tyre janë identifikuar. Ka deri në 50 ari pronë publike që janë uzurpuar. Për këto prona, 68 do t’i publikojmë listat dhe do t’i kërkojmë të bëjmë marrëveshje me to. I kemi regjistruar 7 mijë prona deri më tani kanë mbetur edhe 3500 prona të përmbyllet obligimi ligjor”, tha i pari i Pejës.

Muhaxheri shtoi se këtë vit, Komuna e Pejës ka ndarë 296 mijë euro subvencione.

Ndërsa për punësimet e 49 personave me kontratë mbi vepër për shërbime të veçanta, Muhaxheri tha se kanë qenë të detyruar pasi iu është dashur staf në komunë për kryerjen e punëve, pasi sipas tij punëtorët që presin pensionimin nuk kanë qenë të aftë t’i përmbushin obligimet dhe se me ligj nuk mund t’i heqin nga puna.

“Kemi punësuar 6 persona që të bëhet vlerësimi i 10 mijë pronave. Në disa raste kemi kërkuar edhe staf shtesë në baza ligjore si inxhinierë që iu janë dashur komunës dhe në inspektorat. Besojmë që vitin tjetër, numri i personave të punësuar me kontratë mbi vepër do të jetë më i vogël”, tha kryetari.

Ndërkaq, zëvendës auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu ka përgëzuar BIRN-in për organizimin e një takimi të tillë, pasi siç tha ai, rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm shpeshherë krijojnë paqartësi për shkak të raportimeve jo korrekte.

“Ne i ndihmojmë në gjetje politik bërësit në vendimet që do të marrin për zbatim të rekomandimeve. Roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit është t’i shërbejë qytetarit të Kosovës. Duke e rritë transparencën për mënyrën si janë menaxhuar financat publike dhe duke e këshilluar Kuvendin se si ta mbajë llogaridhënëse Qeverinë”, tha ai.

Salihu shtoi se roli i ZKA-së nuk është të hetojë apo të jetë prokurori në këto çështje, por të ndihmojë qeverisjet lokale dhe qendrore.

“Kemi identifikuar disa dobësi në menaxhim të parasë publike. Do t’i veçoj tri më të rëndësishme në Komunën e Pejës. E para ka të bëjë me pasuritë pasi regjistrimi i saj është një prej problematikave më serioze të shtetit të Kosovës. E dyta janë çështjet e borxheve: Është shqetësues për një auditor që borxhet e prapambetura ndaj palëve të treta të ekzekutohen nga thesari apo vendimet gjyqësore. Ndërsa e treta është fusha e qeverisjes, pasi çdo kund nëpër komuna vërehen dobësi të qeverisjes”, tha zëvendës auditori.

Kurse, Ardian Berisha këshilltar komunal nga radhët e AAK-së në Pejë, tha se deklarimet e kryetarit të  komunës Gazmend Muhaxheri ishin justifikime.

“Vetëm në vitin 2017 janë 19 të gjetura mirëpo, nuk u diskutua pika kryesore e 14-ta për  dënimet gjyqësore. Komuna ka paguar 16 mijë euro, të cilat janë dalë në mënyrë të dhunshme prej thesarit. 49 personat janë punësuar pa kriter, pasi është dashur të caktohen kritere dhe të vijnë njerëz të merituar dhe jo militantë të partisë vetëm pse i ka thënë Muhaxheri”, theksoi Berisha.

Kurse, i pari i Komunës së Pejës Muhaxheri, u përgjigj se dënimet gjyqësore janë të trashëguara nga pushtetet e kaluara.

“Lëndët të gjitha janë në prokurorit por medet që s’ka prokuror që ta kryejnë rastet. Dënimet janë që vijnë prej vitit 2007 deri në 2013. Të tjerat janë dënime tjera për arsimtarët me  tri paga jubilare që duhet me i pagu. Këto i paguan Ministria e Arsimit”, tha Muhaxheri.

Debati rreth zbatimit të rekomandimeve të Auditorit nëpër komuna të Kosovës i organizuar nga BIRN, është projekt i mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

KALLXO.com ka transmetuar drejtpërdrejt këtë diskutim të hapur, për ta shikuar kiliko në LINK.