Foto ilustruese: YouTube

BIRN Fiton Çmim për Gazetari Hulumtuese në Serbi

Gazetari i BIRN, Aleksandar Dordjevic, fitoi çmimin e parë për hulumtimin më të mirë në shtyp në Serbi.

Çmimi iu dha nga Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve në Serbi, NUNS, dhe nga Ambasada e SHBA në Beograd, të mërkurën më 5 maj.

Hulumtimi i BIRN, i publikuar në revistën Vreme, zbuloi sesi Shkolla e Biznesit e Beogradit, nën presionin e zyrtarëve të qeverisë , në mënyrë të paligjshme u dha hua 7 milionë euro kompanive që kishin borxhe të shumta dhe që nuk kishin gjasa t’i kthenin paratë.

Juria tha se storja ngriste pyetje të rëndësishme mbi korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë në Serbi.

Ambasadori i SHBA në Serbi, Randolph Scott, tha gjatë ceremonisë: “Gazetarët në Serbi punojnë në kushte të vështira. Gazetaria hulumtuese kërkon punë të pandalshme, vëmendje të veçantë ndaj fakteve, mbledhje të të dhënave nga burime të ndryshme dhe shpesh, kurajë personale”.

Kjo është hera e katërt që BIRN Serbia merr çmimin për hulumtimin më të mirë, dhe këtë vit gazetarë të BIRN u kualifikuan në fazën përfundimtare për dy storje të tjera.

Jelena Veljkovic, gazetare e BIRN Serbia, dhe Vladimir Kostic nga Qendra Serbe për Gazetari Hulumtuese, ishin ndër finalistët për hulumtimin e tyre sesi politikani Bratislav Gasic shpërbleu me kontrata kompani që kishin lidhje me familjen e tij kur ai ishte kryetar i Komunës së Krusevacit.

Ivan Angelovski, Petrit Çollaku, Kreshnik Gashi dhe Jelena Cosic gjithashtu kaluan në finale me një stroje që zbuloi sesi një kontratë prej shumë milionë dollarësh iu dha në heshtje një konsorciumi me pak përvojë në ndërtimin e autostradave dhe e lidhur me biznesmenin famëkeq Zvonko Veselinovic.