Ilustrim

Bie kalueshmëria e Testit të Maturës në afatin e parë

Afër 10 përqind më pak studentë e kanë kaluar Testin e Maturës sivjet, në krahasim me vitin e kaluar.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë publikimin e rezultateve të afatit të parë të Testit të Maturës.

Nga nxënësit që sivjet i u nënshtruan këtij testi, 73,3 përqind të tyre e kaluan atë.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi në një konferencë për media tha se rezultatet e testit të maturës për vitin 2018 janë reale.

Ministri Bytyqi tha se në bazë të rezultateve që kanë ardhur nga komisioni, kalueshmëria e pjesës së parë të testit të maturës është 73.3 %.

Në anën tjetër, vitin e kaluar rezultati i  kalueshmërisë në këtë afat ishte 83.5 për qind, ndërsa 67.2 për qind e maturantëve kishin arritur të marrin mbi 50 për qind të pikëve në test.

Komisionet Shtetërore të Maturës për të dy këto vite i konsideruan si të sukseshëm testet e maturës.

Sivjet, Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Shyqyri Bytyqi vendosi të bëjë ndryshime në mënyrën e organizimit të testit duke e ndarë atë nëpër regjione.

Këtë vit, testi i maturës u mbajt në 4 periudha të ndryshme për katër regjione të Kosovës pasi në këtë mënyrë ishte konsideruar se do të evitoheshin parregullsitë.

Testi i maturës që ishte paraparë të shpërndahet për nxënësit e rajonit të Prishtinës u ndërrua një natë para se nxënësit t’i nënshtroheshin atij.

Kjo pasi KALLXO.com siguroi fotografi që dëshmonin se testi kishte rrjedhë dhe po shpërndahej në natën e 28 majit.

Në një email dërguar ministrit të Arsimit, redaksia e KALLXO.com kishte njoftuar për publikimin e këtij testi, pas të cilës ministri reagoi duke ndërruar testin që ishte paraparë për nxënësit.

Ministri Shyqyri Bytyqi falënderoi KALLXO.com dhe tregoi se pas këtij raportimi rasti ishte dërguar në organet ndjekëse.

https://kallxo.com/raportimi-i-kallxo-com-coi-ne-nderrimin-e-testit-te-matures-qe-ishte-publikuar/