Bie Intensiteti i Gripit Sezonal në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në raportin e sotëm përmbledhës ka konstatuar intensitet konstant të rasteve të gripit sezonal.

Nga 1 tetori deri më 25 shkurt 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 49.343 raste të dyshimta në grip, 4454 raste me infeksion respirator akut dhe 89 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute).

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë javës së 8–të të këtij viti janë raportuar 4.638 ose 25.2% më pak raste të dyshimta në grip, 277 raste me infeksion respirator akut dhe 5 raste SARI.

Në laboratorët e Qendrës Kombëtare të Gripit, në Institutin Kombëtar prej fillimit të sezonit të gripit, 251 persona kanë rezultuar pozitivë në influencë.

Sipas tipit, 105 raste janë pozitive në influencën A dhe 146 në Influencën B.

26 raste i takojnë subtipit A(H1)pdm09 dhe 79 raste tjera janë A të pasubtipizuara.

146 raste të konfirmuara i takojnë tipit B, 48 prej tyre janë subtipi Yamagata ose gripi japonez.

Epidemia e gripit sezonal ka rënie të dukshme në intensitet.

Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Të gjithë personat e sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familjar për të parandaluar komplikimet./21Media