ILUSTRIM - FOTO KALLXO: Punëtorët kosovarë

Bie industria përpunuese, rritet furnizimi me ujë dhe trajtimi mbeturinave

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për industrinë e Kosovës thonë se sektori i furnizimit me ujë dhe të trajtimit të mbeturinave shënuan një rritje më të lartë në krahasim me sektorë të tjerë të industrisë për tre muajt janar-mars, përderisa me rënie ishte industria përpunuese.

Në raport me tremujorin paraprak, në muaj janar-mars 2018-të, furnizimi me ujë dhe trajtimi i mbeturinave ishin me rritje

“Në tremujorin e parë (TM1″) të vitit 2018, krahasuar me tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2017, ka pasur një rritje në sektorin e furnizimit me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave me 25.94 % dhe sektorin e furnizimit me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar  me 12.26 %”, thuhet në komunikatë.

ASK tutje thotë se ka pasur rënie te industria nxjerrëse  për -47.37  përqind; industria përpunuese me -35.85  përqind.

Në sektorin e furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave kishte rritje edhe në raport me periudhën e njëjtë të 2017-ës.

“Ndërkaq, krahasuar TM1 2018 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2017), ka pasur rritje te furnizimi me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave me 50.44%; dhe industria përpunuese me 4.83 %. Ndërsa, ka pasur rënie te industria nxjerrëse me -12.15% dhe furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me -1.73%”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas ASK-së, kjo anketë me të dhënat që ofron, synon ta paraqesë ecurinë në industrinë nxjerrëse, përpunuese, furnizim me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar dhe furnizim me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave në periudha tremujore, nëpërmjet të cilave kuptohet zhvillimi i ciklit në industri.