FOTO: Atdhe Mulla

Beteja e pensionistit të arsimit për pagat përcjellëse

Ish-mësimdhënësi Shaqir Dauti ka kërkuar nga Komuna e Mitrovicës pagesën e tri pagave përcjellëse pas pensionimit si dhe pagën jubilare. Ai kishte 30 vjet përvojë punë nëpër shkolla të ndryshme të komunës së Mitrovicës për të përmbyllur karrierën e tij si mësimdhënës në shkollën “Aziz Sylejmani”.

Meqë Komuna e Mitrovicës nuk ia kishte paguar këto mjete bazuar në kontratën kolektive, Dauti me datën 30.04.2019 në Gjykatën e Mitrovicës ka parashtruar padi ndaj Komunës së Mitrovicës-Drejtorisë së Arsimit për pagesën e shërbimit jubilar dhe pagesën përcjellëse pas pensionimit.

Të hënën është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën e Mitrovicës, në të cilën avokati u Shaqir Dautit, Faik Jashari bëri precizimin e kërkesë-padisë.

Ai kërkon që Komuna e Mitrovicës t’i paguajë tri paga përcjellëse me rastin e daljes në pension. Gjithashtu ai ka kërkuar që t’i paguhet edhe 75% e një page për shpërblim jubilar pasi që i njëjti ka përvojë 28 vite e 2 muaj.

“Konform Kontratës Kolektive të arsimit të njëjtit i takojnë 3 paga përcjellëse në shumë prej 1,189.35 euro dhe 75% e një  page jubilare në shumë prej 297.33 euro e që në total arrin shumën prej 1,486.68 euro. Heq dorë nga kamata, ndërsa kërkoi shpenzimet procedurale”, ka thënë avokati Jashari.

Avokati i Komunës së Mitrovicës, Avdi Muzliukaj kundërshtoi padinë dhe kërkesëpadinë si dhe precizimin e kërkesë-padisë në seancën e sotme duke pasur parasysh mungesën e mjeteve financiare, ndërsa deklaroi se nuk është kontestuese që paditësi ka punuar tek e paditura.