Beteja e humbur e Vasfije Krasniqit për drejtësi në gjykatat e Kosovës

Vasfije Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçe në prillin e vitit 1999 kur ishte rrëmbyer nga shtëpia e saj në fshatin Stanoc i Ulët nga një person i uniformuar dhe ishte dhunuar seksualisht në dy lokacione të ndryshme në Babimoc, nga dy persona të ndryshëm.

Ky është i vetmi fakt i pakontestuar i gjykatave të Kosovës, në të cilat nuk u gjetën fajtorët e këtij krimi.

Vasfije Krasniqi ka dalë për herë të parë publikisht dhe ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar në prillin e vitit 1999.

Beteja për drejtësi e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 kishte filluar në vitin 2012, me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

KALLXO.com sjell një kronologji të të gjitha proceseve gjyqësore të zhvilluara në Kosovë për rastin e Vasfije Krasniqi-Goodmanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq ishin akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunimin e, atëherë të miturës, Vasfije Krasniqi.

I akuzuari Jovica Dejanoviq, sipas shkresave të gjykatës ka banuar në Mitrovicë, ndërsa i akuzuari tjetër, Gjorgje Bojkoviq ka lindur në Prishtinë.

Gjykata Themelore e Mitrovicës, e përbërë nga tre gjyqtarë të EULEX-it, Timo Vuojolahti, Mariola Pasnik dhe Dariusz Sielicki, kishte filluar shqyrtimin gjyqësor me 4 prill të vitit 2013, dhe për shtatë ditë kishte dëgjuar 12 dëshmitarë, tetë nga të cilët ishin ftuar nga Prokuroria. Ndërsa më 13 prill të atij viti, Gjykata Themelore e Mitrovicës kishte liruar nga akuza për krime lufte dy të akuzuarit, me arsyetimin për “shkelje ligjore në fazën e hetimit gjatë identifikimit të të akuzuarve nga ana e viktimës dhe dëshmitarëve të tjerë”.

Më saktësisht, siç përshkruhet edhe në vendimin e saj, Gjykata kishte vlerësuar se procesi i identifikimit përmes fotove të të akuzuarve nga dëshmitarët dhe viktima, ishte përcjellë me parregullsi. Si rrjedhojë, sipas Gjykatës, këto parregullsi kanë bërë që ky identifikim përmes fotove të mos përdoret si provë kundër të akuzuarve.

Pastaj Prokuroria ishte ankuar ndaj këtij vendimi dhe pas kësaj ankese, Gjykata e Apelit kishte vendosur të kundërtën e asaj të Themelores. Sipas vendimit të Apelit, provat ishin të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e Jovica Dejanoviqit dhe Gjorgje Bojkoviqit për krime të luftës. Jovica Dejanoviq ishte dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa Gjorgje Bojkoviq me 10 vjet burgim.

Në vendimin e 17 majit të vitit 2014, Apeli kishte vlerësuar se identifikimi i të akuzuarve nga dëshmitarët ishte bërë në formë të rregullt dhe ato prova ishin mjaftueshëm të bindshme.

Më tej, në arsyetimin trupit gjykues të Apelit, të përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it, Manuel Soares dhe Annemarie Meister, dhe gjyqtari vendor, Xhevdet Abazi, thuhet se Gjykata e Mitrovicës kishte përdorur një standard të lartë të identifikimit të të akuzuarve përmes fotove, nga ajo që kërkohet nga Kodi i Procedurës Penale të Kosovës.

Në fund, Apeli kishte pranuar ekzistimin e shkeljeve në procesin e identifikimit të të akuzuarve, por ndryshe nga Themelorja, Apeli nuk i kishte konsideruar këto shkelje mjaftueshëm të rëndësishme për t’u hequr peshën e provave.

Ndaj këtij vendimi të Apelit ishin ankuar avokatët mbrojtës të të akuzuarëve, dhe Gjykata Supreme, kishte anuluar vendimin e Apelit dhe liruar dy të akuzuarit nga vepra penale e krimeve të luftës. Trupin gjykues e kishte udhëhequr për herë të parë një gjyqtare vendore, Nesrin Lushta, ndërsa në përbërje ishin edhe gjyqtarët e EULEX-it, Willem Brouwer dhe Esma Erterzi.

Edhe Supremja ishte ndalur në vlerësimin e dëshmive të dëshmitarëve dhe identifikimin përmes fotove të të akuzuarve. Sipas Supremes, “përshkrimet e autorëve të krimit janë të përgjithshme dhe të paqarta” me të cilat nuk mund të vërtetohet se është kryer vepra nga të akuzuarit.

Vasfije Krasniqi gjatë dëshmisë së saj pohoi se asnjë avokat i Kosovës nuk kishte pranuar ta mbrojë atë për shkak se kishin kërkuar mbrojtje nga EULEX-i për të punuar në veri. Megjithatë, në të njëjtën kohë të gjykimit të këtij rasti në Mitrovicën e Veriut, monitoruesit e KALLXO.com kanë raportuar për rastet kur avokatët shqiptarë kanë mbrojtur palët e tyre në Veri. Njëri nga këto raste është edhe ai i njohur si “Grupi Drenica”.

Shkeljet e pretenduara nga Fondi për të Drejtën Humanitare

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka monitoruar gjithë procesin gjyqësor të viktimës Vasfije Krasniqi, dhe kanë publikuar një raport përmbledhës në të cilin janë evidentuar disa shkelje.

Sipas këtij raporti “Gjykimet e profilit të lartë: Drejtësia që vonohet”, të publikuar në vitin 2014, Fondi ka vlerësuar se Gjykata Themelore e Mitrovicës në mënyrë të papërgjegjshme e ka trajtuar procesin.

“FDH Kosovë e konsideron jashtëzakonisht të papërgjegjshëm trajtimin, rëndësinë dhe kohën, të cilën gjykata ia ka kushtuar një vepre penale jashtëzakonisht të rëndë, e cila ka ndodhur gjatë kohës së luftës dhe e cila ka qenë pjesë e një aktiviteti sistematik dhe paraprakisht të planifikuar për terrorizimin e popullatës shqiptare dhe detyrimin e saj që të largohet nga Kosova’, thuhet në raport.

Më tej, FDK Kosovë vë në pah rëndësinë e dëshmisë së dhënë nga viktima në këtë proces, që sipas Fondit, nuk është marrë parasysh nga kjo Gjykatë.

“Për FDH Kosovë është e pashpjegueshme që gjykata mos të shqyrtojë, të mos merr parasysh dhe të mos e respektojë vendosmërinë e viktimës dhe të familjes së saj që të vërtetën ta çojnë deri në fund, pa marrë parasysh çmimin, të cilin do ta paguajnë ata në një ambient konservativ, ku dhunimi konsiderohet turp i viktimës dhe i familjes së saj”, thuhet në këtë raport.

Vasfije Krasniqi tha se njëri prej dhunuesve të saj sot jeton i lirë në Kosovë dhe punon për Policinë e Kosovës.