Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Beteja 10 Vjeçare e Profesorit për ta Fituar Banesën e UP-së

Muhamet Shala, profesor i Fakultetit të Arteve të UP-së, përmes përfaqësuesve të tij të autorizuar Pranvera Shala dhe avokatit të tij, Kushtrim Palushi, përmes padisë së paraqitur në vitin 2007 dhe të precizuar në vitin 2016, kërkojnë nga Gjykata Themelore e Prishtinës që ta detyrojë të paditurin, Universitetin e Prishtinës që urgjentisht të bëjë ndarjen e një banese në Lagjen e Universitetit të Prishtinës, bazuar në një vendim të vitit 2004.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës,  në mungesës së përfaqësuesve të palës së paditur, avokati i Shalës kërkoi nga Gjykata që  të angazhojë ekspert lidhur me këtë çështje.

“Për vlerësimin e dëmit material dhe jo-material, i propozoj gjykatës nxjerrjen e provës nga lëmia financiare ose aktuaristikës. Detyrat e ekspertit financiar duhet të jenë ashtu që të vlerësoj dëmet materiale përkatësisht pagesat e qirasë gjatë tërë periudhës kontestuese e deri në marrjen e vendimit, pastaj shpenzimet e renovimit dhe mobilimit  të banesës e cila i ishte caktuar paditësit me vendimin e vitit 2000 nga Universiteti i Prishtinës”, tha Palushi.

Përpos dëmit material, Palushi tha se eksperti nga fusha e aktuaristikës ka për detyrë të vlerësoj dëmin jo material që përfshin dëmtimin e reputacionit, humbjen e autoritetit, stresit dhe degradimit të pësuar gjatë kësaj periudhe.

Gjithashtu përpos dëshmitarëve, avokati, Palushi tha se kanë propozuar edhe një masë të sigurisë dhe këtë propozim e kanë dorëzuar në muajin shkurt në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Kërkojmë që pas pranimit të kësaj kërkese, gjykata të veprojë sa më shpejtë lidhur me këtë masë, sepse ekziston mundësia që i padituri të tjetërsoj ose të jap në shfrytëzim pronat e saj të UP-së”, kërkoi avokati Palushi.

Lidhur me këto propozime të avokatit të paditësit, gjyqtarja Hydajete Gashi tha se do të vendosë jashtë shqyrtimit gjyqësor.

Profesorit të fakulteteve të arteve me përvojë mbi 30 vjeçare, Muhamet Shalës i ishte ndarë një banesë në Lagjen e Universitetit, me vendim të Rektoratit të UP-së në vitin 2000.

Kjo banesë më pas kishte dalë kontestuese dhe profesorit Shala i ishte dashur që së bashku më familjen e tij pesëanëtarshe ta lironin atë.

Për këtë qëllim, sipas pretendimeve të palës paditëse, ekziston një  dokument i titulluar njoftim për vendim i nënshkruar nga dekani i Fakultetit të Arteve në atë kohë, Zejnel Kelmendi i cili përcakton se posa të lirohen banesat tjera të Lagjes së Universitetit,  që janë në procedurë kontestuese, atëherë profesorit Shala do t’i jepet një banesë.

Ky vendim mban datën e 25 marsit 2004, ndërsa pala paditëse thotë se ky vendim nuk  u zbatua asnjëherë.

Pala paditëse pretendon se Universiteti i Prishtinës ka disa lëndë kontestuese lidhur me banesa në Lagjen e Universitetit në Gjykatën e Apelit, dhe kërkon nga Gjykata Themelore që të detyrojë Universitetin e Prishtinës që të ndërmarr masa dhe të kërkoj nga Gjykata e Apelit të përshpejtoj këto lëndë me anë të urgjencave dhe dokumentet për këtë t’i prezantoj në procesin pranë Gjykatës Themelore.

Ky rast është një gjykim që ka filluar me parashtrimin e padisë në vitin 2007, ndërsa ende nuk është vendosur.