Parregullsi në blerjen e laptopit për Besim Beqajn

Ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka blerë laptop në vlerë 1,064 euro me paratë e avancit për udhëtim zyrtar gjatë qëndrimit të tij në ShBA. 

Sipas shpjegimeve të Ministrisë kjo kishte ndodhur për shkak se ministri gjatë vizitës zyrtare në ShBA kishte shprehur nevojën për një laptop. 

Në raportin e auditimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për vitin 2018 thuhet se me avancin e tërhequr në vlerë 1,814 euro, ishte blerë një laptop në vlerë 1,064 euro jashtë vendit.

Sipas procedurës për regjistrimin e avanceve për para të imëta dhe avancave për udhëtime zyrtare, te llogaritja e shpenzimeve për udhëtime zyrtare, janë të përcaktuara shpenzimet që mund të mbulohen nga mjetet e avancit si: akomodimi, ushqimi, mëditja dhe shpenzime tjera/para xhepi.  

Pas realizimit të udhëtimit këto shpenzime ishin mbyllur në kodin ekonomik “Pajisje tjera nën 1,000 €”, e që është kundërshtim me procedurat për regjistrimin e avancave në SIMFK.  

Sipas Auditorit, shfrytëzimi i mjeteve nga avanci për udhëtime zyrtare për blerje të pajisjeve, rrit rrezikun e përdorimit të këtyre mjeteve për qëllime tjera, nga ato për të cilat është destinuar avanci për udhëtime zyrtare. 

“Ministri duhet të sigurojë se shfrytëzimi i avancit për udhëtime zyrtare për blerje të paautorizuar, nuk do të përsëritet në asnjë rast tjetër”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është Ministri e sapoformuar dhe ky është auditimi i parë që i është bërë nga ZKA.

Në raportin e auditimit për vitin 2018, kjo Ministri ka marrë 14 rekomandime, duke filluar nga pasqyrat financiare, subvencionet, investimet kapitale deri te planifikimi dhe realizimi i buxhetit.