Bersant Celina, lojtar i Man. City-t - Foto: Manchester City

Bersant Celina, Lojtari më i Mirë i Ri te Manchester City

Lojtari i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bersant Celina, është shpallur lojtari më i mirë i shpresave të Manchester City-t.

Ai ka marrë më së shumti vota nga tifozët e klubit anglez.

Shpalljen e Celinës lojtari më i mirë mund ta shikoni duke klikuar në profilin e klubit Manchester City në “Facebook”.

Celina, në një intervistë të drejtpërdrejtë për “Man City TV”, ka thënë se është krenar për çmimin e fituar përball shokëve të talentuar të skuadrës.

“Ndihem shumë mirë pasi e kam fituar këtë çmim në një klub që ka shumë talentë”, ka thënë Celina.

Celina vitin e kaluar ka debutuar për ekipin e parë të Manchester City, duke bërë një asist për Sergio Agueren.

“Ka qenë një vit i mirë për mua dhe për klubin. Kam luajtur me U21 në pjesën më të madhe të sezonit. Gjithashtu e kam pasur rastin të debutojë me ekipin e parë, që ka qenë një përvojë shumë e mirë”, ka thënë lojëtari i përfaqësueses së Kosovës.

Ai ka folur edhe për punën që është bërë në përgatitjen e kësaj vere nën urdhrat e trajnerit Pep Guardiola.

“Këtë verë ka qenë shumë ndryshe prej vitit të kaluar pasi tash po punojmë shumë më shumë me topin… Trajneri po flet më të gjithë, edhe me lojtarët e rinj në mënyrë që të marrë më të mirën prej secilit lojtar. Trajneri po mundohet që ta rrisë vetëbesimin te lojtarët në mënyrë që të merr me të mirën nga të gjithë”, ka thënë Celina.