Bernard Nikaj e lë Ministrinë për Kaliforninë

Ministri Bernard Nikaj të premten ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi nga Zyra për Media e MTI-së.

“Arsyeja e dorëheqjes është personale dhe ka të bëjë me avancimin e mëtejshëm akademik të. Z. Nikaj do të qëndrojë si studiues mysafir i mbështetur nga bursa ‘Fulbright’ në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley për një semestër”, është thënë në njoftimin e MTI-së.

E për ta zëvendësuar përkohësisht Nikajn, është emëruar Avni Kastrati.

“Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka pranuar kërkesën dhe ka liruar nga detyra ministrin Nikaj dhe në të njëjtën kohë ka emëruar ushtrues detyre zëvendësministrin Avni Kastrati, me të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë deri në emërimin e Ministrit”, thuhet në njoftim.

E pas largimit të tij, Nikaj ka falënderuar punonjësit e MTI-së për siç thotë përkushtimin dhe kontributin e dhëne në arritjen e reformave të rëndësishme për zhvillimin e sektorit privat dhe mbarë sektorit ekonomik në Kosovë.

Ai po ashtu një falënderim ka drejtuar edhe për mediat që përcjellën punën e tij dhe të MTI-së.