Berisha: Prapë do ta nënshkruaja licencimin e Z-Mobile

Ish-kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit (ART), Anton Berisha është ballafaquar sot me pyetjet e anëtarëve të Komisioni Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala.

Kryesuesi i këtij komisioni, Visar Ymeri pyeti Berishën se në çfarë cilësie ka qenë i përfshirë ART në kontratën e Z-mobile.

Berisha tha se ai ka pasur mandate 5 vjeçar si kryetar i Bordit në ART dhe se çdo licencë është nënshkruar nga ai gjatë këtij mandati.

“Ne kemi hapë tregun MVNO për të krijuar më shumë mundësi të tregut dhe për t’u bërë pjesë e kornizave rregullatorë evropiane. Unë nuk e dijë çfarë baze kanë nisë, sepse ata nuk kanë mundur të hapin kontratë me MVNO-të pa e hapë ne tregun. Çdo licencë prej 2003 deri në 2008 është nënshkruar prej meje për operatorë virtuale, IPKO dhe Dardafonë kanë qenë që kanë marrë licencë”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij ai poashtu tha se po i bëhen pyetje jashtë temës.

“S’keni pse më bëni pyetje për raportin qe e kam dorëzu, unë s’muj sa struktura të parlamentit që vijnë me raportu. Nëse unë kam ftesën për marrëveshjen me Z-Mobile dhe Telekom, ju nuk mund të më pyesni për çështje tjera”, tha Berisha.

Kurse kryesuesi i komisionit, Visar Ymeri tha se s’është jashtë teme.

“Kjo nuk është jashtë temës se këtu s’po e hetojmë vetëm Z-Mobile dhe Telekomin, por gjithë gjendjen”, tha Ymeri.

Kurse anëtarja nga PDK, Blerta Deliu-Kodra, tha se “Vodafone” është tërhequr në atë kohë për shkak të parregullsive dhe mungesës së transparencës.

“Z.Berisha mund të mos përgjigjeni në shqetësimet tona, do te kthehemi tek kompania Vodafone që është tërheq atëherë për shkak të parregullsive që s’kanë pas ndonjë lidhje të qartë. Vodafonie ka thënë se ata nuk kanë aplikuar për licencë pasi që procesi ka qenë jo transparent dhe tarifat kanë qenë të larta”, tha Deliu-Kodra.

Berisha i tha se ky është konstatim i saj dhe se aplikimi i “Vodafone” si operator është përrallë.

“Të gjitha i keni në raport, asnjë raport i Brukselit nuk ka konstatuar që procesi ka qenë jo transparent ky është konstatim i juaji. Unë nuk kam asnjë raport as me PTK-në as me Z-Mobile e as IPKO e as nuk kam asnjë të punësuar, sulmet ndaj meje kanë ardhur për shumë arsye. Aplikimi i Vodafone është përrallë, ata kurrë s’kanë aplikuar, ata kanë aplikuar veç në gazeta”, tha ai.

Ndërsa, anëtari nga LDK, Armend Zemaj pyeti Berishën se si ishte organizuar nënshkrimi i marrëveshjes me Z-Mobile.

“Historia e MVNO-së neve na u ka shndërruar edhe në aspektin profesional duke u mundu me elaboruar për me mbërri deri tek njerëzit që kanë përgjegjësi. Më 27 maj 2007 ART-së iu është dërguar një letër nga Dardafon.net për shprehje të interesit për mundësi të MVNO-në, një kërkesë të tillë e ka bërë edhe PTK. Më 27 korrik 2008, PTK ka nënshkruar marrëveshje me Z-Mobile, a iu duket qe kjo nuk është mirë e organizua”, tha Zemaj.

Për këtë Berisha tha se nuk është në dijeni se si PTK ka filluar procesin me MVNO.

“Nuk e di se si PTK ka filluar procesin e MVNO ata nuk kanë mujtë me filluar një proces të tillë për aprovimin e kornizës që hap tregun. Ajo çka di unë është që kanë mund vetëm pasi të aprovohet korniza rregullatore.  Korniza rregullatorë është vendim për hapje të tregut nuk ëshrë vendim për kompaninë”, tha Berisha.

“Veprtimtaria ime s’ka asnjë lidhje me PTK as me ndonjë gjë tjerër, unë kam punuar që me hap tregun dhe në bazë të projektit të BE-së”, shtoi ai.

Ndërsa anëtari nga VV, Liburn Aliu tha se para lëshimit të licencës a kanë bërë ndonjë hulumtim rreth personave që aplikojnë.

E për këtë Berisha tha se për kompanitë vendore nuk kanë pasur nevojë që të bëjnë një gjë e tillë.

“Në kompani vendore nuk ke çka me pa sepse ata janë njerëz që i nënshtrohen ligjeve të Kosovës dhe janë institucioneve të tjera që merren me këto, s’kemi pas as staf e as instrumente me i bërë këto po flas për periudhën kur kam qenë unë”, tha ai.

“Sikur unë të kisha qenë në mandat të plotë apet e kisha nënshkruar, sepse licencat janë dhënë në mirëbesim, ne s’kemi qenë institucioni i konspiracionit”, shtoi Berisha.

Ai poashtu e pyeti Berishën se a ka pasur presion nga PTK për licencimin e MVNO-së, që Berisha tha se s’ka pasur një gjë të tillë, por tha se Shyqiri Haxha ‘është munduar të bëhet shef’.

“Ka pas vizita e takime me PTK sipas procedurave, ka qenë Shyqiri Haxha, janë munu mu bo shefa tek unë, ua kam tregu rrugën që këtu s’munden me qenë shef. Asnjë përfaqësues i PTK s’ka mujt me pas ndikim te unë”, tha Berisha,

Ndërsa deputeti Milaim Zeka e pyeti Berishën nëse ka pasur presione politike gjatë mandatit të tij.

“Si udhëheqës i ART-së, a keni pasur presione politike nga partitë politike?”.

Berisha tha se ai s’ka pas probleme personale me askënd përveç atyre që janë bërë publike.

“Unë nuk kam pas personalisht diçka përveç atyre publike. Unë jam i bindur qe kjo pikë i ka kaluar kufijtë e Kosovës qe problemi ka qenë më i thellë, unë nuk flas palidhje, ka me i ardhur vakti edhe ka me u sqaruar kjo punë, 10 vite ose 20 do të zbardhet edhe pse ka ndikuar në familjen time”, tha ai.

Ai shtoi se të gjitha dokumentet ishin të shikuara nga zyra ligjore para se të dorëzoheshin tek ai.

“E kam nënshkruar çdo dokument që e ka pru zyra ligjore sepse i kam besuar edhe marrë përgjegjësinë që kanë mundësi mos të jenë në rregull. Gjithë dokumentet janë nënshkruar prej zyrës ligjore”, tha ai.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike Bekim Haxhiu, pyeti: “A është ftuar dikush nga ART në seancën gjyqësore të Z-Mobile për me dëshmuar?.

Berisha u shpreh se s’ka informacione për këtë çështje.

“Jo s’kam informacione”, tha Berisha.