Berisha: Lista Serbe të jetë pjesë e transformimit të FSK-së

Gjatë konferencës së organizuar nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se FSK-ja është shtëpia e të gjithëve në këtë shtet, kurse ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, shtoi se janë duke bërë përpjekje që pjesë e transformimit të FSK-së të jetë edhe komuniteti joshumicë serb.

Haradinaj tha se FSK-ja, është themeli i shtetit dhe misioni e vizioni i shoqërisë sonë e që e forcon të vërtetën që të gjithë janë në shtëpi.

“FSK është shtëpia e të gjithëve në këtë shtet. Rajoni për ne është familje dhe jemi shumë të lumtur që shohim përmirësime te shtetet fqinje”, u shpreh Haradinaj.

Kurse, Berisha tha se sa i përket transformimit të FSK-së i kanë përfunduar aktivitetet e planit të veprimit, ndërsa një pjesë e tyre mbetet të kryhen pas marrjes së vendimit për transforimim.

“Sa i përket transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që pjesë e këtij transformimi të jetë edhe komuniteti joshumicë, komuniteti serb. Në kuadër të kësaj, shumicën e aktiviteteve që janë të parapame me planin e veprimit i kemi përfunduar dhe jemi në përfundim. Ndërsa, një pjesë tjetër parashihet që të përfundohen pas marrjes së vendimit për transformim”, tha Berisha.

Berisha tha se synojnë t’i ndërtojnë dhe vendosin kontaktet në mes të FSK-së dhe shteteve jonjohëse të pavarësisë së Kosovës.

“Synojmë që së shpejti t’i vendosim kontaktet edhe me Zyrën rumune edhe me shtetet e tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Berisha.

Një e arritur tjetër e FSK-së sipas tij  është integrimi i komunitetit joshumicë dhe tejkalimi i kuotës mbi 10 për qind të komunitetit joshumicë serb.

“Kjo kuotë e rritur edhe me rekrutimin e mbi 30 rekrutëve të komunitetit joshumicë serb dhe vlen të theksohet se edhe unë si ministër edhe stafi drejtues i FSK-së e çmojmë lart vendosmërinë e këtyre rekrutëve që edhe përkundër presioneve e kërcënimeve vazhdojnë të jenë pjesë aktive e FSK-së”, shtëpi Berisha.

Ai gjithashtu shpreson që sa më parë edhe Lista Serbe ta kuptojë realitetin e ri dhe të jetë pjesë e këtij transformimi të FSK-së.

KALLXO.com ka shkruar për kërcënimet që u janq bërë pjesëtarëve serbë të FSK-së.

http://kallxo.com/mesazhe-kercenuese-ndaj-pjesetareve-serbe-te-fsk-se-ne-zubin-potok/

http://kallxo.com/ramadani-komenton-deklaraten-e-vuciqit-fsk-nuk-rrezikon-askend/