Bereqeti i Fermerëve të Prishtinës Ekspozohet në Shesh

Ata kanë vendosur produktet në sheshin “Skënderbeu” për t’ua ekspozuar kalimtarëve dhe zyrtarëve vendorë e ndërkombëtarë.

Libor Chlad nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e vlerësoi këtë panair si një mundësi të veçantë për të gjithë prodhuesit e vendit që të bashkohen në një vend dhe të paraqesin produktet e tyre.

“Më vjen mirë të them se shumica e prodhuesve sot këtu janë prodhues që janë mbështetur nga Bashkimi Evropian. Kemi këtu mbi 70 kompani që e kanë shfrytëzuar këtë mundësi”, tha Chlad.

Edhe kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, u shpreh i kënaqur për organizmin e kësaj ngjarjeje.

“Prishtina duhet të mendojë si regjion i Prishtinës me 9 komuna të cilat bëjnë pjesë dhe panaire si ky, ndihma e cila na jepet neve si komune ka qenë e domosdoshme dhe e nevojshme për zhvillimin tonë sa ma të madh”, tha i pari i kryeqytetit.

Krisi Asllani nga kompania e rakisë “Raki-Stublla” tregon që doli të promovojë produktin e tij.

“Kam filluar qe 3 vjet dhe ne shesim 5 lloje të rakisë, kumbull, kajsi, arrë, rrush, kulumbri”, tha Asllani.

Ndërkaq një nga vizitoret e panairit, Drita Kërqeli, është e kënaqur me idenë se edhe Kosova po fillon këto lloje të aktiviteteve.

“Në shtetet tjera kjo është traditë. Po më vjen mirë që edhe në Kosovë po marrim kësi lloj kulture”, tha ajo.

Ky panair i organizuar nga Agjensioni për Zhvillim Rajonal në Kosovë “ARDA”, u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian.

Panairi do të jetë i hapur deri të dielën.