Beqiri: Shpresojmë që ky të jetë viti i zbulimit të dorasit të Enver Malokut

 

Në 20 vjetorin e vrasjes së Enver Malokut, kryesia e LDK-së ka bërë homazhe te përmendorja e tij në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë. Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri  ka kërkuar që rasti i Malokut të zbardhet, dhe të dihet dorasi.

“Sot po bëhen 20 vite të vrasjes të veprimtarit, intelektualit, gazetarit. Jeta e tij ka një mesazh të veçantë, sidomos në kohën sa punoi në QIK. Rasti i Enver Malokut duhet të zbulohet, të zbulohen kriminelët. Ne ende nuk kemi informata se kush janë dorasit e Enver Malokut. Shpresojmë që ky do të jetë viti i zbulimit të dorasit”, tha Beqiri.

Enver Maloku ishte udhëheqës i Qendrës për Informim në Kosovë, e cila gjatë viteve të ’90-ta, shërbente si Agjenci Kombëtare e Lajmeve. Ai ishte vrarë më 11 janar të vitit 1999 në kohë lufte, teksa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë, nga persona ende të panjohur për drejtësinë kosovare.