Beogradi Ndalon Tubimet për 20 Vjetorin e Masakrave të Srebrenicës

Ministria e Brendshme ndaloi të gjitha tubimet publike në Beograd me rastin e 20 vjetorit të masakrave të Srebrenicës, duke cituar rreziqet e sigurisë pasi po të njëjtën datë janë lajmëruar edhe  mitingje rivale.

Ministri i brendshëm Nebojsa Stefanoviq ditën e premte tha se tubimet do të ndalohen në kryeqytet pasi grupet e krahut të djathtë thanë se do të organizojnë kundërdemonstrata kundër një përkujtimoreje të planifikuar jashtë parlamentit duke shënuar përvjetorin e ditës së të shtunës për masakrat e korrikut të vitit 1995.

“I paralajmëroj të gjithë ata që mendojnë se duhet të vijnë – policia nuk do të lejojë apo tolerojë asnjë tubim para parlamentit serb dhe as organizimin e mbledhjeve që janë të ndaluara,” tha Stefanoviq në një konferencë për shtyp.

Aktivistët që kërkojnë të mbajnë zi për viktimat e Srebrenicës kishin planifikuar një event të quajtur #sedamhiljada, duke synuar të mblidhnin në mënyrë simbolike 7,000 njerëz – shifër që përfaqëson numrin e përafërt të të vrarëve 20 vjet më parë – jashtë ndërtesës së parlamentit në Beograd.

Organizatat e ekstremit të djathtë “Dveri” dhe “Zavetnici”, si edhe anëtarë të Partisë nacionaliste Radikale Serbe, njoftuan gjithashtu se do të organizonin tubime në të njëjtën kohë.

Stefanoviq tha se ai duhet të merrte masa “që në të gjithë Serbinë të sigurohej paqja dhe siguria”.

Përfaqësues të disa OJQ-ve që mbështesin #sedamhiljada thanë më herët të premten se çdo përpjekje për ta ndaluar atë, do të ishte një vendim politik, duke këmbëngulur se policia mund të garantojë sigurinë nëse ka vullnet politik.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq tha në Bruksel të premten se ai patjetër që do të shkojë në 20-vjetorin e Srebrenicës të shtunën, pavarësisht vlerësimeve negative të sigurisë atje.

“S’më kanë interesuar kurrë vlerësimet e sigurisë,” tha Vuçiq.

Tensionet u rritën këtë javë, pasi aleatja e Serbisë Rusia ushtroi veton e saj ndaj një rezolute të propozuar në OKB, e cila dënon masakrat e Srebrenicës si gjenocid, duke e përshkruar atë si anti-serbe.

Stefanoviq ndërkohë tha se situata në Srebrenicë përpara përkujtimit ishte “komplekse”.

“Presim një numër të madh ekstremistësh atje, disa janë të pranishëm dhe disa të tjerë do të vijnë në Srebrenicë nesër,” tha ai.

Camil Durakoviq, kryetari i bashkisë së Srebrenicës, tha të enjten megjithatë se Vuçiq është i mirëseardhur në Srebrenicë dhe se siguria në përkujtimore do të garantohet nga 1200 oficerë policie.