Parakalimi i FSK-së

Beogradi 'i detyroi' serbët të largoheshin nga Forca e Sigurisë së Kosovës

Një raport i ri mbi dorëheqjen masive të anëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës fajëson Qeverinë serbe dhe e akuzon atë për “ndërhyrje brutale” në një institucion të Kosovës.

Pas dorëheqjes së një numri të anëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar një raport që fajëson presionin e Qeverisë serbe.

Sipas QKSS-së, presioni ndaj anëtarëve serbë të FSK-së dhe dorëheqja e tyre masive përbën “ndërhyrje brutale” nga Serbia në një institucion shtetëror të Kosovës.

Në raport thuhet se dorëheqja e planifikuar e mbi 60 anëtarëve serbë të FSK u zhvillua si pjesë e një operacioni të menduar ushtarak dhe psikologjik, të organizuar nga pjesëtarë të inteligjencës ushtarake në Beograd dhe në Vranjë, në Serbinë jugore.

“Kërcënimet për ndërprerjen e pagave / pensioneve të anëtarëve të ngushtë dhe të gjerë të familjes që banojnë në Serbi dhe ndalimi i hyrjes në Serbi u përdorën si mjet i presionit ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së”, thuhet në raport.

Aty thuhet se ekzistonte edhe presioni psikologjik. Ky presion përfshinte anëtarët e FSK-së serbë të cilëve iu tha se një luftë midis Serbisë dhe Kosovës ishte e afërt dhe se ata do të “përfundonin duke luftuar kundër vëllezërve të tyre në ushtrinë serbe”.

QKSS rekomandon që institucionet e Kosovës të përgatisin një strategji të re për integrimin e mëtejshëm të komunitetit serb në FSK, me mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë në vend.

“MFSK duhet të rekrutojë anëtarë të rinj të komunitetit serb si një kundërmasë ndaj veprimeve të Serbisë dhe të plotësojë vendet e lira”, shkruan raporti.

Mediat në Kosovë dhe Serbi kanë raportuar se një numër i anëtarëve serbë të FSK-së shumetnike e kanë braktisur kohët e fundit atë, ndërsa politikanët e Kosovës fajësojnë Beogradin për gjoja “presion” ndaj serbëve për t’u larguar.

Ibrahim Shala, nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha për BIRN se rreth 6 për qind e pjesëtarëve të FSK-së vijnë nga komuniteti serb dhe janë integruar mirë në institucion.

Por Igor Simiq, nga Lista Serbe, tha për faqen serbe të internetit ‘Telegraf.rs’ në muajin korrik se serbët e Kosovës nuk duhet të jenë pjesë e një ushtrie të Kosovës.

“Pozicioni i Listës Serbe është shumë i qartë, dhe ky qëndrim ndahet nga i gjithë populli serb në Kosovë. KFOR-i është e vetmja forcë e ligjshme ushtarake në këtë rajon që është e pranishme në bazë të pëlqimit të Beogradit dhe të Rezolutës [së OKB-së] 1244.

“Prishtina po përdor pozicionin e vështirë financiar të disa familjeve me qëllim që të shantazhojë serbët që të pranojnë të jenë pjesë e një forme të ushtrisë së Kosovës, kështu që të mund të tregojë një lloj kuazi-multietniciteti të këtyre forcave”, tha ai.

Kosova ka kërkuar shumë kohë që të formojë një ushtri të rregullt kundër kundërshtimit të ashpër nga Serbia dhe nga pakica serbe në Kosovë.

Qeveria e Kosovës të enjten miratoi një projektligj të ri të FSK-së, duke zgjeruar kompetencat e saj, por duke shmangur nevojën për ndryshime kushtetuese të kërkuara për ta shndërruar atë në një ushtri të rregullt.