Zoran Raskoviç dhe Nemanja Babiç gjatë shfaqjes së dokumentarit në Beograd.

Beogradi e pa Filmin e BIRN për Masakrat në Kosovë

Të Paidentifikuarit, i cili nxjerr emrat e zyrtarëve serbë që urdhëruan sulme në fshatrat e Kosovës rreth qytetit të Pejës në 1999 dhe ata të përfshirë në operacionin për fshehjen e trupave të viktimave, u shfaq për herë të parë për publikun në kryeqytetin serb ditën e shtunë në Qendrën Kulturore të Beogradit.

“Filma të tillë janë një mjet i nevojshëm për të parandaluar harrimin e këtyre historive tragjike dhe për të ndërtuar një ndërgjegjësim në mendjet e njerëzve që ata të mos manipulohen nga disa ideologji politike,” tha për publikun Nemanja Babiq, një nga regjisorët.

Babiq tha se problemi kyç me të cilin u përballën realizuesit e dokumentarit ishte të bindje dëshmitarët okularë të flisnin para kamerës dhe të siguroje disa dokumente mbi vitet e luftës nga institucionet serbe.

Ai tha gjithashtu se Të Paidentifikuarit po shfaqej për herë të parë për publikun vetëm tani, një vit pas premierës së tij të parë, për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e institucioneve vendase për të dhënë me qira vendet e tyre për shfaqjen e një dokumentari të tillë. Në shfaqjen e mëparshme të tij mund të merrje pjesë vetëm me anë të një ftese.

Të Paidentifikuarit i kthen shikuesit pas në vitin 1999, në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq afër Pejës, ku luftëtarët serbë vramë më shumë se 118 civilë shqiptarë. Trupat e tyre u dogjën ose u larguan dhe disa prej tyre u gjetën më vonë në varre masive në qendrën policore në Batajnicë pranë Beogradit në Serbi në vitin 2001.

Gjyqi i 11 autorëve që dyshohen se janë të përfshirë në vrasjet – 10 prej të cilëve të akuzuar si autorë të drejtpërdrejtë – vazhdon ende në Beograd.

Zoran Raskoviq, një dëshmitar kyç i prokurorisë në këtë çështje dhe ish-anëtar i njësisë ushtarake të njohur si Çakallët, i cili merret në intervistë në dokumentar, tha për publikun gjatë shfaqjes së dokumentarit në BELDOCS se mesazhi më i rëndësishëm i këtij dokumentari është pajtimi.

“Njerëzit duhet të flasin për mizoritë që ndodhën për të parandaluar luftërat e ardhshme,” tha Raskoviq.

Më herët këtë muaj, Të Paidentifikuarit fitoi çmimin si dokumentari më i mirë në Festivalin e Filmit për Evropën Juglindore në Los Anxhelos.

Filmi pati premierën ndërkombëtare në Festivalin e Filmit të Sarajevës vitin e shkuar dhe është shfaqur në disa festivale dhe institute të tjera në Paris, Nju Jork, Uashington, Zagreb, Beograd, Prizren, Prishtinë, Tiranë, Maribor.