Foto: Komuna e Mitrovicës

Bekim Jashari shkon ta përkrahë Agim Bahtirin për peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka vizituar kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, për të ofruar përkrahjen e tij lidhur me peticionin për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Kjo vizitë u bë pasi që të mërkurën kryetari Bahtiri ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës peticionin me 16 mijë nënshkrime të qytetarëve, siç thuhet në postimin e tij në “Facebook”, me shpresën që të marrë mbështetjen e deputeteve.

Në këtë postim të Bahtirit thuhet se kryetari Jashari, u shpreh se nisma e kryetarit Bahtiri dhe e qytetarëve mitrovicas për inicimin e peticionit është legjitime dhe e drejtë e tyre për të kërkuar bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Ndërkaq, bëhet e ditur se kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut falënderoi Jasharin për “mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe të gjithë qytetarëve të Skenderajt, që vullneti i qytetarëve të Mitrovicës por edhe i gjithë qytetarëve të Kosovës të bëhet tashmë realitet”.

”Qytetarët me nënshkrimin e këtij peticioni presin nga kryetari i Kuvendit të Kosovës që të fillojnë sa më parë me procedurat e parapara ligjore për realizimin e kërkesës së tyre për bashkim të Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri.