Komuna e Skenderajt, Foto: Facebook

Bekim Jashari punësoi 19 persona me kontratë mbi vepër në 2018-ën

Në komunën që udhëhiqet nga Bekim Jashari, Skenderaj, 19 persona u punësuan me kontratë mbi vepër gjatë vitit 2018.

Kështu tregohet në raportin vjetor të Auditorit të Përgjithshëm që ka nxjerr për këtë komunë.

Gjetjet e raportit thonë se 19 persona u angazhuan nga Komuna e Skenderajt gjatë vitit të kaluar.

“Neni 12 i Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil përcakton se emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj duhet të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” (MSHV) për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Komuna gjatë vitit 2018 kishte të angazhuar 19 punonjës me MSHV”, thuhet në raport.

Në këto 19 angazhime, katër sipas Auditorit të Përgjithshëm, ndodhëm në kundërshtim me procedurat të rekrutimit të punonjësve.

“Në dy raste kemi vërejtur se angazhimi ishte bërë pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, kurse në dy të tjera kemi tejkalim të afatit të angazhimit për tre muaj. Arsyeja pse janë lidhur këto kontrata ishte mungesa e planifikimit buxhetor për këto pozita, dhe mundësia më e lehtë e angazhimit përkundër faktit se këto shërbime ishin kryesisht për pozita të rregullta”, thotë raporti.

Rekrutimi i punonjësve në këtë formë, sipas Auditorit të Përgjithshëm kufizon konkurrencën.

“Angazhimi i stafit për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit kufizon konkurrencën dhe si pasojë mund të pranohet staf me kompetencë të ulët që ka ndikim që cilësia e shërbimeve të pranuara të mos jenë në përputhje me nevojat”, thuhet në raprt tutje.

Tutje, Auditori i Përgjithshëm ka rekomanduar kryetarit Bekim Jashari që angazhimet e tilla të planifikon paraprakisht e jo të njëjtat të mbulohen me kontrata mbi vepër.

“Kryetari, duhet të siguroj se marrëveshjet për shërbime të veçanta janë për punë specifike dhe për to zhvillohet një procedurë e thjeshtuar e rekrutimit dhe kontratat nuk zgjasin më shumë se afati i paraparë ligjor. Po ashtu, duhet të ndërmerren veprime që nevojat për pozitat të rregullta të adresohen në MF gjatë planifikimit buxhetor me qëllim që këto të mos mbulohen me MSHV”, thuhet në raport.

KALLXO.com do të vazhdoj të raportoj për të gjeturat e raportit vjetor të Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Skenderajt.