Bekim Haxhiu: Gazin e Ka Hedhur Albin Kurti

Deputeti Bekim Haxhiu në gjykimin e katër kolegëve të tij për lotsjellësin në Kuvend, tha se gazin më 8 tetor 2015 e ka hedhur Albin Kurti.

“Fillimisht Kurti ka hedhë ujë në drejtim të kryesuesit të Kuvendit Xhavit Haliti, me sa më kujtohet një gotë të plastikës. Pastaj ka provuar ta qëllojë edhe me vezë dhe këto protestime kanë vazhduar deri në momentin e gazit lotsjellës. Gazin lotsjellës e ka hedhë Albin Kurti”, tha Haxhiu duke përshkruar situatën e krijuar në tetorin e 2015-ën në sallën e mbledhjeve.

Haxhiu më tutje përshkroi në detaje veprimet që sipas tij Kurti i bëri në seancën e 8 tetorit 2015.

“E ka ndezë në tokë, dhe pastaj e ka shkelmuar me këmbë në drejtim të grupit parlamentar të LDK- së. ju ka dokë pak, pastaj e ka shqelmuar në pjesën qendrore të grupit parlamentar të PDK- së”, tha Haxhiu.

Ai tregoi edhe vështirësitë shëndetësore me të cilat u përball pas aktivizimit të lotsjellësit në Kuvend.

“Pengesat kanë qenë si djegie në sy, vështirësi në frymëmarrje, për mua pengesa këto të kalueshme pas disa minutave”, tha Haxhiu.

Ai tregoi se kur doli jashtë Kuvendit për t’u ajrosur, pa makinën ne ndihmës së shpejtë që po merrte dy deputetet që kishin më shumë probleme me lotsjellësin.

“Kur kam dalë jashtë për t’u ajrosur, kam vërejtur ndihmën e shpejtë për të marrë dy deputetet që kanë pasur vështirësi më të mëdha shëndetësore, Flora Brovinën dhe Blerta Deliun”, tha Haxhiu, duke treguar se shkoi në emergjencë për t’iu ndihmuar dy deputeteve.

Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor 2015, katër deputetët e Vetëvendosjes- Albin Kurti, Donika Kadaj- Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Gjykimi ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.