“Bëhu zëri im”, fushata për të mbijetuarit e dhunës seksuale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Presidentja Atifete Jahjaga, ambasadorë e figura të larta shtetërore morën pjesë në lansimin e kampanjës “Bëhu zëri im”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe e mbështetur nga disa organizata.

Motoja e kësaj kampanje ishte “ Bëhu zëri im” dhe ka për qëllim që e gjithë shoqëria të përfshihet dhe t’i mbështesë të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Përmes disa zarfeve që përmbajnë rrëfime të grave e vajzave që kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, kampanja ka pasur për qëllim që njerëzit t’i lexojnë e të bashkëndiejnë me to për torturat që kanë përjetuar.

Presidenti Thaçi ka tërhequr një zarf dhe ka lexuar rrëfimin e shkruar nga një viktimë e dhunës gjatë luftës.

Ai tha se të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk janë fajtore për atë se çfarë ju ka ndodhur sepse sipas tij ato janë viktima që kanë nevojë për përkrahjen e të gjithë neve.

“Kosova duhet të bëjë më shumë për t’i përkrahur të mbijetuarat dhe mbijetuarit e dhunës seksuale. Dinjiteti i tyre duhet kthehet përmes mirëkuptimt”, tha Thaçi.

Ish presidentja  e Kosovës Atifete Jahjaga tha se dhuna seksuale vazhdon të jetë e gjallë edhe dy dekada pas luftës në Kosovë.

Sipas saj mungesa e drejtësisë e ka shndërruar jetën e atyre grave në një ankth .

Jahjaga tha se viktimat e dhunës seksuale, akoma përballen me diskriminim  e stigmatizim social.

“Të mbijetuarit e dhunës seksuale i kemi diskriminuar edhe në mënyrat se si e kemi ndërtuar narracionin për luftën dhe gabimisht ua kemi percjellur ndjenjën se kanë bërë diçka të turpshme”, tha ajo.

Sipas ish Presidentes Jahjaga dhunimi seksual gjatë luftës nuk është turp për viktimat por është krim që duhet ndëshkuar.

“Kemi obligim moral e institucional t’i tregojmë botës dhe t’i kërkojmë llogari shtetit fqinj, Serbisë për krimet qe i kanë kryer”, u shpreh ajo.

E përfaqësuesja e Medica Mondiale nga Gjermania, Ara Stileau tha se është shumë krenare që po i jep zërin e saj kësaj kauze.

Ajo tha se është koha që ta thyejmë heshtjen dhe të solidarizohemi me vajzat e gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë.

“Shprehim solidaritet me të gjithë viktimat dhe ne do jemi gjithmonë pranë jush”, përfundoi ajo.