Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli - Foto: Facebook

Behgjet Pacolli Fajëson PAN-in dhe Gjykatën Kushtetuese

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, sot ka akuzuar deputetët e koalicionit PAN pas bojkotimit që këta të fundit po i bëjnë Kuvendit të Kosovës.

Pacolli ka kritikuar edhe punën e Gjykatës Kushtetuese e cila, sipas tij, edhe pse është Gjykata Kushtetuese e thirrur për t’i zgjidhur krizat, ajo i ka thelluar ato, dhe ka krijuar pretekste për kriza të reja.

“PAN po e shkel Kushtetutën me bojkotin e saj. A po e shkel Kushtetutën PAN-i, me bojkotin e vet të zgjatur të seancave parlamentare? Nëse do t’ i referohemi vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, PO, e ka shkelur. Lexoni për shembull Rastin nr. KO 29/2011, pikat 79, 80, 81, 82, 83 dhe 84. Në këtë vendim argumentohet mbi bazën e Kushtetutës, rregullores së Kuvendit pse deputeti duhet të marrë pjesë në seancat plenare dhe se mospërmbushja e këtij detyrimi, është shkelje e kushtetutës. Pse e bën PAN-i këtë? A nuk është Kushtetuta e barabartë për të gjithë?”, ka thënë Pacolli përmes një postimi në “Facebook”.

Ai tha se kjo situatë çon sërish në përfundimin se Gjykata Kushtetuese, e përdorur politikisht, që sipas kryetarit të AKR-së nuk ka kurrfarë autoriteti.

“Kriza e sotme në Kosovë e ka një kapak gjoja kushtetues, që e ka nxitur atë. Çuditërisht tek ne, është Gjykata Kushtetuese që e thirrur për t’i zgjidhur krizat, i ka thelluar ato. Dhe ka krijuar pretekste për kriza të reja”, ka shtuar Pacolli.

Behgjet Pacolli përmendi edhe vendimin për ndërprerjen e mandatit të tij në mars 2011, vendim ky që sipas tij ishte ndërhyrje në veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës; vendimi për mosndërprerjen e mandatit të zonjës Jahjaga në korrik 2012, shkeli një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit nga populli dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor; vendimi për mandatarin e krijimit të qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në korrik 2014, krijon pretekste për kriza të reja.

“Ata që në këto 3 raste e përdorën Gjykatën Kushtetuese, sot as nuk duan ta përfillin vendimin e saj që e dënon bojkotin e seancave si antikushtetues. Keq valla !!!”, thuhet në shkrimin e tij.