Delegacioni i BE-se

BE kërkon heqjen e taksës ndaj Serbisë, ka vështirësuar zhvillimin e dialogut

Bashkimi Evropian thotë që është koha për heqjen e taksës

Bashkimi Evropian ka përsëritur qëndrimin për heqjen e taksës 100% të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve që hyjnë në Kosovë nga Serbia.

Sipas tyre me vendosjen e taksës, Kosova ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s dhe atë të Stabilizim Asociimit, dhe se e njëjta ka vështirësuar edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Këto i deklaruan sot në Kosovë, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister dhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostoplova.

Diplomati McAllister tha se Bashkimi Evropian dhe Federica Mogherini janë të paanshëm dhe qëllimi i tyre është që të kthejnë në tavolinën e bisedimeve Kosovën dhe Serbinë.

Ai theksoi se duan që dialogu të vazhdojë.

“Miq dhe partnerë të Kosovës, Bashkimi Evropian, Parlamenti Evropian e shtetet e Bashkuara, të gjithë po kërkojnë që Qeveria e Kosovës të rikonsiderojë vendimin për vendosjen e kësaj takse sepse në mes të arsyeve të tjera kjo është shkelje e marrëveshjes së CEFTA-s, dhe po ashtu është shkelje e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, andaj ne nuk besojmë që ky është vendimi i duhur, dhe për pyetjen nëse këto tarifa mund të pezullohen, pezullimi i tarifës sipas pikëpamjes sonë do të jetë rruga drejtë progresit, ne kemi qenë shumë të qartë për këtë gjë dhe e kemi përsëritur këtë mesazh në këto dy ditë të takimeve në Prishtinë”, tha ai.

Ndërsa i pyetur për temën e kufijve, McAllister tha se Parlamenti Evropian konsideron që çdo marrëveshje mund të jetë e pranueshme nëse pajtohen të dy palët dhe nëse e njëjta është sipas të drejtës ndërkombëtare.

Ai tha se ka ardhur koha të vazhdojë dialogu dhe se ata e mbështesim fuqishëm këtë.

“Parlamenti Evropian nënvizon natyrën multietnike të Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo gjendje multietnike nuk duhet të hidhet poshtë në rajon, duhet të mbrohet. Parlamenti Evropian mbështet dialogun e fasilituar nga BE për të arritur në një marrëveshje normalizuese midis Serbisë dhe Kosovës. Parlamenti Evropian konsideron se çdo marrëveshje mund të jetë e pranueshme vetëm nëse për këtë bien dakord në mënyrë të dyanshme, duke marrë parasysh stabilitetin në tërësi në rajon dhe të drejtën ndërkombëtare, ky është pozicioni i Bashkimit Evropian, dhe po ashtu është edhe pozicioni im”, tha ai.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova tha se e kuptojnë mesazhin të cilin Kosova ka dashur ta përcjell përmes vendosjes së taksës, mirë tani është koha që të merret vendimi i duhur në mënyrë që të vazhdojë dialogu./RTV21/