Sipas Bankës Botërore, Kosova është një treg i vogël dhe i pazhvilluar i IT-së - Foto: Facebook

BB: Kosova, Treg i Vogël dhe i Pazhvilluar i IT-së

Raporti i Bankës Botërore (BB) “Korrja e përfitimeve digjitale: Shfrytëzimi i përparësive të internetit për zhvillim në Evropë dhe Azi Qendrore”,  thotë se Kosova është treg i vogël dhe i pazhvilluar i teknologjisë dhe informacionit dhe përballet me konkurrencë nga importi.

“Tregu i teknologjisë se informacionit (IT) në Kosovë është i vogël dhe i pazhvilluar për shkak të nivelit të ulët të digjitalizimit dhe përdorimit të IT-së në ekonomi. Ai karakterizohet edhe nga konkurrenca e fortë nga importet. Niveli i ulët i specializimit dhe diferencimit midis kompanive kosovare të teknologjisë është pengesë për konkurrencën dhe rritjen ekonomike”, thekson Banka Botërore në një komunikatë.

Vizat, mungesa e mbështetjes nga Qeveria, kontakte të dobëta afariste si brenda dhe jashtë vendit janë disa nga barrierat që prekin eksportin.

“Pengesat më të mëdha për rritjen e eksportit të cituara nga firmat e tregut të IT-së përfshijnë barrierat e vizave, mungesën e mbështetjes nga Qeveria, mungesën dhe cilësinë e dobët të kontakteve afariste jashtë dhe brenda vendit, informatat e pamjaftueshme rreth tregut dhe problemet me brending”, thekson raporti.

Çështje tjetër madhore që ka ndikim tek eksportet dhe rritja e sektorit në afat të gjatë është mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore për prodhim në masë.

“Qasja e kufizuar në financa është një tjetër pengesë për zhvillimin e firmave të IT-së me orientim nga eksporti. Në të njëjtën kohë, kapitali sipërmarrës nuk është në dispozicion”, thuhet në komunikata e BB-së.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, thotë se Kosova mund t’u qaset mundësive për punësim dhe biznes me bazë në IT por së bashku me këtë duhet të rritet edhe kualifikimi i të rinjve.

“Përhapja e internetit në nivel global dhe përmirësimet në qasjen në IT në Kosovë do të thotë se bizneset dhe njerëzit mund t’u qasen mundësive globale për punësim dhe rritje të bizneseve me bazë në IT, punësimit përmes internetit, si dhe shërbimeve të tregtisë”, thotë Mantovanelli.

Megjithatë, thekson ai, kjo gjithashtu do të thotë se baza e kualifikimeve duhet të zhvillohet dhe të rinjtë duhet të kenë kapacitet për të gjetur dhe për të kryer punë në epokën digjitale.

Sipas komunikatës, Marco Mantovanelli thotë  BB po diskuton për përkrahjen e Kosovës në këtë fushë me qëllim të rritjes së punësimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike.

“Për këtë arsye Banka Botërore po diskuton përkrahjen e mundshme për Programin e Kosovës për Digjitalizim të Ekonomisë (KODE) që synon realizimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës përmes përdorimit më të gjerë të infrastrukturës së internetit brezgjerë dhe zhvillimit të bizneseve si dhe të aftësive digjitale, që janë konkurruese globalisht. Shndërrimi i internetit në shërbim universal dhe të përballueshëm në Kosovë dhe përshtatja e kualifikimeve të punëtorëve dhe bizneseve me kërkesat e tregjeve kryesore të eksportit janë paralajmërues të transformimit të Kosovës në ekonomi digjitale”, shtoi ai.

Sipas Bankës Botërore, Interneti ofron punësim për të gjithë pa dallim.

“Puna përmes internetit mund të ofrojë mundësi më të mira për grupet të cilat përballen me pengesa në punësim, për shembull, punëtorët më të vjetër, gratë apo të rriturit me fëmijë të vegjël, ku shërbimet e kujdesit ditor për fëmijë janë të kushtueshme ose të pakta”, citohet në komunikatë menaxheri për Kosovë i Bankës Botërore.

Në komunikatë theksohet se Kosova është aktive në promovimin e modelit të punës nëpërmjet internetit në mesin e grave në viset rurale.

Programi ‘Gratë në punë online’, i mbështetur nga Banka Botërore, i cili ka ofruar trajnime dhe stërvitje për punë nëpërmjet internetit për 150 gra të papunësuara dhe të nënpunësuara në Kosovë, është një shembull i nismës së tillë.

http://kallxo.com/afro-80-gra-271-kontrata-pune-online/

Ekonomisti tjetër i Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore, Hernan Winker, përmend edhe anën tjetër të medaljes që vjen nga interneti.

“Edhe pse po krijohen mundësi të reja dhe të papara përmes internetit, ekziston edhe mundësia e përjashtimit të mëtejshëm – veçanërisht për punëtorët e pakualifikuar”, thotë Winkler, i cili është autori kryesor i raportit.

“Na duhet të vendosim politika të cilat mund t’i ndihmojnë njerëzve që të përshtaten me sfidat e reja”, citon komunikata ekonomistin e BB-së.

Sipas Winkler fokusimi në masat që zgjerojnë mbulesën për kujdesin shëndetësor dhe pensionet për punonjësit e ekonomisë mund të jenë më efektive sesa krijimi I rregulloreve me synim parandalimin e ndryshimeve të pashmangshme teknologjike.

Raporti thotë se politikat për të lehtësuar pagesat e kontributeve sociale dhe tatimore mund t’i nxjerrë punëtorët nga ekonomia e hirtë dhe mund t’u sigurojë atyre mbrojtje në punësim.