Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Punës - Foto: KALLXO.com

Basri Ibrahimi zgjidhet Kryeshef Ekzekutiv i 'Trepçës'

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, nga sot do të jetë me detyra të reja.

Bordi mbikëqyrës i “Trepça sh.a.” e ka zgjedhur atë Kryeshef Ekzekutiv.

“Sot, më datë 27.05.2019 duke ushtruar kompetencat ligjore në bazë të legjislacionit në fuqi, Bordi Mbikëqyrës i Trepça sh. a. përmes një procesi të hapur dhe transparent të konkurimit dhe pas përfundimit të procesit të seleksionimit dhe intervistimit, ka zgjedhur për Kryeshef Ekzekutiv të Trepça sh.a z. Basri Ibrahimi”, thuhet në komunikatën e kësaj ndërmarrjeje.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ibrahimin, i cili tha se në “Trepçë” po shkon vetëm për një qëllim.

“Në “Trepçë” po shkoj me të vetmin qëllim duke besuar në përvojën time menaxheriale që të sjell ndryshime. Unë besoj në aftësitë e mia që ta ngrisim “Trepçën” me ardhë në këmbët e veta dhe me u vetëfiinancu e me e zhvillu”, ka deklaruar ai.

Ibrahimi që me profesion është jurist së shpejti do të japë dorëheqje nga pozita të cilën e mbajti që një kohë në Inspektoratin e Punës.

“Pozita e kryeinspektorit mbetet e lirë, mbetet në dorën e ministrisë. Do ta bëj së shpejti dorëheqjen dhe do ta bëj publike”, deklaroi ai për KALLXO.com.

“Trepça sh.a.” njoftoi edhe për zgjedhjen e Sekretarit Korporativ.

“Kurse, për pozitën e Sekretarit Korporativ të Trepça sh.a. Bordi Mbikëqyrës ka zgjedhur z. Afrim Haxhiu. Të dy kandidatët morën besimin e plotë të gjithë anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës”, thuhet në komunikatë.

“Ky proces, përsëri e solli në vëmendje rëndësinë që ka Trepça për qytetarët e Kosovës, gjë që u dëshmua me konkurencën profesionale që ka pasur në këto dy konkurse”, thuhet në fund të njoftimit nga “Trepça sh.a.”.