Sokol Bashota, Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

Bashota mund të dënohet deri në 5 vite burg nesër

Kryetari i PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, nesër do ta mësojë verdiktin e Gjykatës së Pejës, e cila do të vendosë nëse ish-kryetari i Komunës së Klinës është fajtor apo i pafajshëm lidhur me akuzën për deklarim të rremë të pasurisë.

Ai po akuzohet për tri vepra penale të deklarimit të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën BMË X5, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metrash katrorë, në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën Jeep dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro në muaj nga qiraja e banesës.

Në rast se shpallet fajtor, i pari i PDK-së në Klinë rrezikon të dënohet deri në 5 vite burgim.

Bashkë me Bashotën në të njëjtin proces gjyqësor po akuzohet edhe Enver Berisha.

Berisha akuzohet se nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion tokën me sipërfaqe prej 5.500 metrash katrorë.

Deri dje Sokol Bashota bashkë me Enver Berishën, Esat Racin dhe Fadil Gashin akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ata akuzoheshin se në mënyrë të kundërligjshme i kishin përfituar banesat me nga 110 metra katrorë, në qendër të Klinës.

Sipas aktakuzës, nga e cila ditë më parë u tërhoq prokurorja Sahide Gashi, katër të akuzuarit kishin rënë dakord që ta ushtronin fuqinë e tyre politike për t’i siguruar votat e asamblistëve të kuvendit komunal për ndarjen e banesave.

Prokurorja Gashi u tërhoq nga akuza me arsyetimin se nuk ka arritur ta provojë ndikimin e të akuzuarve tek asamblistët e Klinës.

Gjatë fjalës përfundimtare prokurorja deklaroi se politikanët bashkëpunojnë mjaftë mirë mes vete kur është në pyetje përfitimi.

“Siç po del nga gjithë ky gjykim të gjithë subjektet politike kur është në pyetje për të përfituar bashkëpunojnë mjaft mirë mes vete”, deklaroi prokurorja Gashi.

Gjatë procesit gjyqësor, Sokol Bashota ishte mbrojtur në heshtje.

Heshtjen në fund të procesit e arsyetoi me mundësinë e gabimit në termet juridike

“Jam duru shumë mos me fol që të mbrohem në heshtje se mos po rrëshqas për shkak të gabimeve të mundshme juridike. I mbështes deklarimet e avokatit tim”, deklaroi Bashota.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet nesër në orën 14:00 në Gjykatën e Pejës.