Bashkimi Europian komenton aksionin e Policisë në veri

Aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës në komunat veriore ka marrë edhe vëmendjen e Bashkimit Europian.

Në një deklaratë për BIRN, zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, i ka bërë thirrje edhe Prishtinës edhe Beogradit për përmbajtje.

“Ne jemi në kontakt me udhëheqjen në Prishtinë dhe Beograd dhe kemi bërë thirrje për përmbajtje maksimale”, tha Kocijançiq për BIRN.

Tutje, duke folur për aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës, Kocijançiq thotë se operacionet e tilla duhet ta forcojnë procesin e normalizimit dhe jo ta dëmtojnë.

“Mbështetja e sundimit të ligjit, duke përfshirë prezumimin e pafajësisë, është një objektiv që BE mbështet fuqishëm. Operacionet e policisë duhet të sjellin besim në sundimin e ligjit për të gjitha komunitetet. Operacione të tilla duhet të përforcojnë dhe jo të dobësojnë përpjekjet e normalizimit”, tha tutje Kocijançiq në deklaratën dhënë për BIRN.

“Operacioni policor në Mitrovicë që synon individë të dyshuar nga i gjithë rajoni dhe pjesë tjera të Kosovës, në bazë të urdhrave të gjykatës, duhet të bëhet në përputhje me ligjin dhe të komunikohet siç duhet”, tha tutje Kocijançiq për BIRN.

Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit ka marrë një aksion në komunat veriore ku ka arrestuar disa persona me dyshimin për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Policia e Kosovës ka hasur në rezistencë ku ka pasur edhe të plagosur.