Pllaka me emrat e viktimave të masakrës në Qyshk - Foto: KALLXO.com

Bashkëfshatarët kontestojnë statusin e dëshmorit për babain e Agim Çekut

Banorët e Qyshkut të Pejës po pretendojnë se dhjetë të vrarëve më 14 maj 1999 nga forcat serbe po synohet t’u ndërrohet statusi, nga viktima civile në atë të dëshmorit

Ata thonë se tashmë banorët kanë filluar të kenë konflikt mes vete rreth kësaj çështjeje, prandaj kërkojnë ndërhyrjen e organeve kompetente në mënyrë që konflikti të mos thellohet.

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku dhe anëtari i Komisionit për Njohjen dhe Verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, Shkumbin Demalijaj, deklaruan për KALLXO.com se përgjegjës për caktimin e këtyre statuseve kanë qenë komandantët e zonave përkatëse.

Korab Çeku, banor i fshatit Qyshk, ka rrëfyer për KALLXO.com se në mbledhjen e fshatit që është mbajtur së fundmi, banorët kanë filluar të përçahen si pasojë e ndryshimit të statusit të dhjetë martirëve në dëshmorë.

“Ata janë vrarë në të njëjtin vend, janë djegur dhe masakruar në të njëjtin vend. Disa që kanë pasur pushtet në shtet, i kanë shpallur të afërmit e tyre dëshmorë. Për përfitime materiale apo për çka s’e di por ai është një gabim. Në këtë përmendore që 19 vite ne bëjmë homazhe para martirëve të Qyshkut, ndërsa tash diku 10 ose më shumë i kanë bërë dëshmorë. Ka lind konflikti edhe në fshat”, ka deklaruar Çeku.

Sipas këtij banori, ndryshimi i statusit të të vrarëve në Qyshk është devijim i historisë dhe për ta ‘maskuar’ këtë veprim, ai thotë se është paralajmëruar mbajtja e përvjetorit jubilar në Prishtinë.

Ai tutje ka treguar se të mbijetuarit e masakrës rrëfejnë se të gjithë janë vrarë për një orë, në të njëjtën ditë, andaj edhe paralajmëruan padi për tërheqjen e statusit të ndryshuar.

“Është komplet familja Lushi – 9 dëshmorë, është edhe Hasan Çeku dëshmor. Dhjetë dëshmorë, ndërsa ne e dimë dhe gjithë fshati e di, ka dëshmi, ka njerëz të gjallë që e dinë se këta janë martirë. Do të bëjmë padi së bashku në prokurori për me u tërheq ky status. Nuk mundet me u krahasu martiri me dëshmor. Dy dëshmorë i ka fshati Qyshk, Skënder Çeku edhe Hajdin Vërnezin. Kaluan 20 vite u bënë dëshmorë, kalojnë edhe 20 vite të tjera i shpallin heronj, por dikur edhe 50 vite ata bëhen legjenda”, ka theksuar ai.

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i cili aktualisht është zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, ka thënë përmes telefonit për KALLXO.com se kjo çështje ka qenë përgjegjësi e komandantëve të zonave.

“Unë e di që disa janë dëshmorë, por unë nuk jam ai që i kam caktuar sepse i kanë caktuar komandantët e zonave për secilën zonë. Shkumbin Demalijaj ka qenë përgjegjës për zonën e Dukagjinit dhe ai e di saktësisht se kush është e kush nuk është. Unë me emra nuk i di krejt”, ka thënë ai.

I pyetur nëse i është ndërruar statusi i babait të tij, Hasan Çeku, nga viktimë civile në dëshmor, Agim Çeku deklaroi se që nga paslufta statusi i babait të tij ka qenë dëshmor.

“Nuk janë ndërru statuset. Prindi im prej ditës së parë e ka pasë atë status e nuk është ndërruar. Qysh herët komandanti i Zonës, Ramush Haradinaj, e ka shpallë menjëherë pas luftës jo tash në procesin e verifikimit”, ka shtuar tutje ish-kryeministri Çeku.

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj i cili përfaqësonte ish-Zonën Operative të Dukagjinit, në Komisionin për Njohjen dhe Verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, ka thënë për KALLXO.com se nuk mund të flasë në detaje rreth kësaj çështjeje për shkak se është në proces gjyqësor.

Ai deklaroi se janë komandantët e zonave ata që e dinë më së miri.

“Unë nuk kam pasur punë më individë, kam qenë anëtar i Komisionit. Nuk kam qenë njeri që i verifikoj njerëzit. Unë kam qenë anëtar i Komisionit, qysh i kanë pru komandantët ne i kemi aprovu ose jo. Kaq mund të them sepse jam në proces tjetër e s’mund të flas individualisht për askënd sepse jam në procedurë administrative. Gjykata është duke e kry këtë punë dhe më vjen mirë që është duke e kry”, ka thënë Demalijaj përmes telefonit.

Rexhë Kelmendi, i mbijetuar i masakrës në Qyshk tregoi për KALLXO.com se mëngjesin e 14 majit të vitit 1999, fati i shumicës së burrave të këtij fshati ishte i njëjtë.

Ai tha se kishte shpëtuar nga ‘dhoma e vdekjes’ por jo edhe të tjerët që ishin me të.

“Na kanë ndarë në tri dhoma si shkurtimisht po e foli se kjo është gjatë. Jemi shpëtuar nga një. E unë jam ai që kam shpëtue. Edhe këta personat që kanë qenë me mua, të njëjtin rast e kemi pasur. Unë kam shpëtuar, ata i kanë vrarë. Dy dëshmorë kanë qenë e këta janë shpallë, çka po di unë në bazë të njoftësisë, veç njëjtë jemi vrarë na”, ka rrëfyer Kelmendi.

Rexhë Kelmendi rrëfeu se 14 maji i vitit 1999 i gjeti të gjithë banorët e Qyshkut të paarmatosur.

“47 janë të vramë. Janë vra nëpër fshat. Gjithë këta persona që janë të vramë, qetu që janë të varrosur këta janë martirë, nuk ka asnjë tjetër që ka dallim. Krejt martirë janë këta, asnjë dëshmor. Me pas pasë një automat me e shprazë qetu na gjysma ishim pshtue se ishim ikë”, shtoi tutje Kelmendi.

I mbijetuari tjetër i masakrës në Qyshk, Isa Gashi, gjithashtu rrëfeu tmerrin e 14 majit të 1999-ës.

Ai theksoi për KALLXO.com se asnjë prej burrave që forcat serbe kishin kapur në Qyshk nuk ishte i armatosur, andaj edhe s’mund të jenë dëshmorë.

“Na kanë nda në tri dhoma. Ma e para jemi konë dhoma e jonë që na kanë çu t’u na sha e t’u na rreh e tana të zezat. Edhe për ato dy tjerat njëjtë. Na s’kemi mujtë me luftu. Na jemi martirë, edhe ata edhe na”, ka thënë Gashi.

Viktimave civile që u është ndërruar statusi në dëshmorë, sipas këtyre banorëve janë: Avdullah Lushi, Ukë Lushi, Xhafer Lushi, Skënder Lushi, Ramiz Lushi, Qaush Lushi, Arjan Lushi, Osmon Lushi, Sefedin Lushi dhe Hasan Çeku.

KALLXO.com ka kontaktuar përmes adresës elektronike edhe me Zyrën për çështje të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Qeverinë e Kosovës, për të kërkuar informacion rreth statusit që mbajnë këta dhjetë persona dhe zyrtarja për informim në Zyrën e Kryeministrit, Donjeta Gashi ka thënë se e gjithë dosja e këtyre rasteve gjendet në Prokurorinë Speciale.

“I tërë dokumentacioni i zyrës për veteranët, është në Prokurorinë Speciale. Për informata shtesë drejtohuni te kryetari i komisionit Agim Çeku, pasi që bëhet fjalë edhe për babanë e tij.”, ka thënë Gashi.

Korab Çeku mes tjerash tregoi se në mbledhjen e fshatit janë informuar se planifikohet që të rrënohet përmendorja aktuale, e cila është ndërtuar nga banorët e Qyshkut dhe pritet të ndërtohet një tjetër, e cila ndan martirët nga dëshmorët.

Sipas tij, këtë nuk do ta lejojë askush dhe vetëm sa do të rritet konflikti mes banorëve.

Masakra e Qyshkut ka ndodhur më 14 maj 1999. Në këtë masakër u vranë dhe u masakruan barbarisht 44 meshkuj.

Kjo masakër ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar i ashtuquajtur “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.