FOTO KALLXO kryeministri me mergaten

Bashkatdhetarët ia kujtojnë kryeministrit kartonin e gjelbërt (FOTO)

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se kontributi i mërgimtarëve për lirinë dhe pavarësinë ka qenë i pamohueshëm e po ashtu edhe ndërtimin e shtetit tonë.

Ai gjatë një takimi me mërgimtarët tanë tha se remitencat janë të çmuara fort dhe dëshmon se sa të vlefshëm janë bashkatdhetarët për nxitjen ekonomike.

“Ju kam takuar shumicën prej juve në rrethana të ndryshme gjatë viteve 98-99.  Ne kemi jetuar prej juve, ju e keni përkrahur Kosovën financiarisht e  sidomos rimëkëmbjen e Kosovës pas luftës. Të gjithë e dinë sa të vlefshëm jeni ju për jetën tonë ekonomike”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, më e rëndësishme është se bashkatdhetarët tregojnë për lidhjen që kanë me vendin e vet.

Haradinaj tha se është mirë që bashkatdhetarët të dërgojnë porosi te vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa ka këshilluar ata që të jenë të sjellshëm dhe t’i respektojnë shtetet ku jetojnë.

“Rëndësi ende më të madhe ka lidhja që i bëni ju vendit tonë me vendet në të cilat jetoni. Janë 5 vende në BE të cilat nuk na kanë njohur dhe e dini se është mirë të dërgoni porosi të mira edhe pse e di që nuk jetoni në ato vende t`i forcojmë këto lidhje me ato vende dhe porosia ime është të bëheni shtetas të mirë të atyre vendeve ku jetoni. Tregoni për vlerat tona ku ju jepet mundësia dhe përcillni tek nipat dhe mbesat se kush jemi”, ka thënë ai.

Ai po ashtu u tha bashkatdhetarëve se duhet ta ndërrojnë këtë gjendje, pasi ka hezitime për investime në Kosovë.

“Mos u frikësoni se Kosova bënë gabime pas 20 viteve, por bisedat e brendshme janë të nevojshme (dialogu). Jam shumë i nderuar dhe Kosova është e nderuar me ardhjen tuaj”, tha Haradinaj në takimin me bashkatdhetarët.

Emrush Çeku, bashkatdhetar nga Gjermania, tha se diaspora ka nevojë për më shumë respekt. Ai përmendi problemet e bashkatdhetarëve me kartonin e gjelbërt.

“Diaspora ka nevojë që të na bëni një respekt, që shumë vite ne vijmë në kufi dhe e paguajmë kartonin e gjelbërt. Po ndjehemi të injoruar dhe të dëmtuar moralisht. Ne si mërgimtar kemi dëshirë që Kosova të jetë sa më e zhvilluar”, tha Emrush Çeku bashkatdhetar nga diaspora.