Lulzim Basha - Foto: Facebook

Basha merr vendim radikal: Djegim mandatet e deputetëve

Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha shpalli këtë të diel vendimin për djegien e mandateve parlamentare.

Një ditë pas protestës para kryeministrisë, Basha tha se e kishte marrë mesazhin e qytetarëve, duke i propozuar grupit parlamentar braktisjen e mandateve.

“Mesazhi juaj ishte i qartë, kështu nuk vazhdohet më. Kupa është mbushur dhe është derdhur. Koha e fjalëve ka mbaruar dhe ne nuk do të vazhdojmë të jemi fasadë e një Parlamenti të dalë nga krimi i organizuar. Jam sot këtu të them me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj në atë protestë të kthyer në referendum popullor: I kam propozuar grupit të Partisë Demokratike dhe forumeve më të larta partiake djegien e mandateve tona në këtë Parlament!”, tha Basha.

Sipas liderit demokrat, partia që ai drejton synon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme që të jenë të lira e të ndershme.

Ndërkohë, LSI dhe aleatët e tjerë të PD-së nuk kanë bërë ende asnjë reagim ndaj këtij vendimi radikal./21Media