Lulzim Basha gjatë protestës | Foto: Gjergj Erebara

Basha e Quan Protestën ‘Referendum për Republikën e Re’

Lulzim Basha e quajti “referendum për Republikën e Re” protestën e mbajtur të shtunën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë që mijëra protestues kërkuan largimin e Kryeministrit përmes thirrjeve “Rama ik”!

Në fjalimin e tij, kryetari i Partisë Demokratike përsëriti kërkesat për zgjedhje të lira dhe qeveri teknike, ndërsa duke iu referuar qeverisë së Ramës deklaroi se “nga sot nuk do ta njohim më Republikën e Vjetër”.

“Përballë këtij bashkimi kombëtar t’i thërrasin mendjen dhe t’i hapin rrugë zgjidhjes përmes dialogut. Republika e re nuk do të ndalet, nuk do të thyhet, por do të marshojë në fitore totale,” tha Basha.

Protesta masive u zhvillua 85 ditë pas 18 shkurtit-ditës kur Partia Demokratike vendosi të radikalizojë aksionin politik përmes instalimit të një çadreje përballë godinës së kryeministrisë dhe bojkotit të parlamentit.

Me akuzat se paratë e drogës mund të përdoren në favor të qeverisë për procesin zgjedhor, PD ka kërkuar largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike si kusht për hyrje në zgjedhje -një kërkesë e cila është refuzuar.

Në këmbim, Rama ka këmbëngulur se zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor, ndërsa ofroi  disa poste në qeveri për Partinë Demokratike  për monitorimin e zgjedhjeve.

Ndërhyrja e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri shtroi mbi tavolinë disa opsione kompromisi, të cilat u mbyllën pa asnjë rezultat.

Gjithashtu, Kryeministri Rama dhe lideri i opozitës zhvilluan dy takime, të cilat dështuan në arritjen e një marrëveshjeje.

Vendimi i Partisë Demokratike për të mos marrë pjesën në zgjedhjet e dekretuara më 18 qershor është shoqëruar me kritika të forta nga Bashkimi Europian.

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn e quajti të qëllimshëm vendimin për bojkotin dhe deklaroi se zgjedhjet do të njihen edhe pa pjesëmarrjen e PD-së në to.

Në mbyllje të fjalimit të tij, Basha premtoi se opozita do të vazhdojë betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe paralajmëroi mbajtjen e një proteste të tretë të madhe.

“Kërkoj qëndresë dhe bashkim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të vetmet që Shqipëria do të ketë. Kështu siç u mblodhët sot në këtë referendum, të jeni gati për të tretën të vërtetën e marshimit final”, përfundoi Basha.

Marrë nga reporter.al