Lumi Bistrica

Banorët kundër vazhdimit të punimeve të Hidrocentralit Albaniku në Bistricë

Hidrocentrali i cili ka filluar të ndërtohet vite më parë në fshatin Selacë të Mitrovicës, punimet e të cilit pritet të vazhdojnë edhe në pjesën e lumit Bistrica po kundërshtohen nga ana e banorëve.

Këtu përfshihen tri fshatra: Bistricë, Kushtovë e Vllahisë dhe Batahir.

Banorët e këtyre fshatrave po e kundërshtojnë me çdo kusht vazhdimin e punimeve, ndërsa së fundmi e kanë bërë një peticion disa përfaqësues të ketyre tri fshatrave. Në peticion përfshihen edhe qytetarët tjerë të Mitrovicës të cilët nuk banojnë atje, por shpesh e vizitojnë atë vend.

Banorët po ankohen se lumi Bistrica është futur në gypa dhe se atyre nuk iu ka mbetur asgjë nga ky lum.

Sipas banorëve ujin e këtij lumi ata e shfrytëzojnë për pije dhe ujitje, ndërsa me vazhdimin e punimeve që do të përfshijë tokat të cilat i shfrytëzojnë ata, nuk do t`u mbetet gjë tjetër veq së të largohen nga ato fshatra.

Hetem Ahmeti nga fshati Batahir ka thënë për Kallxo se kompania e cila po kryen punimet e këtij hidrocentrali e ka shkatërruar tërësisht lumin Bistrica.

“Fshati Batahir është afër me fshatin Bistricë ku momentalisht firma Hydroline ka bërë shaktërrimin total të florës dhe faunës. Prej pjesës së Selacit deri në krye të Bistricës e ka shkatërru total. Ia ka ndërru shtratin lumit e ka shti në gypa krejt e ka varrosë. Tash me pretendim që me vazhdu prej atje deri në fund të lumti Bistrica, i cili derdhet në lumin Ibër”, ka thënë Ahmeti për Kallxo.

Gjithashtu Ahmeti ka treguar se banorët e atyre fshatrave kanë bërë një peticion për nderprerjen e këtyre punimeve, të cilin planifikojnë t’ia dorëzojnë Ministrisë së Planifikimit Hapsinorë, por se nuk do t`i përjashtojn edhe format tjera të protestave.

“E kemi bërë edhe një peticion mendoj sa më shpejt me ia dorëzu Minsitrisë së Planifikimit Hapsinorë edhe mendojmë me shku në mënyre ligjore, por nuk përjashtohen edhe format tjera masovike të banorëve të atyre fshatrave. Lumi deri në Bistricë lartë është vendos në gypa, prej Selacit deri në hyrje të Bistricës. Kërkojmë menjëherë ndaljen e punimeve”, ka thënë Ahmeti.

Lumi Bistrica

Driton Hetemi, banor i asaj pjese ka thënë për Kallxo.com se fillimisht janë ndërtuar dy hidrocentrale, ndersa tani sipas tij po planifikohet të ndërohen edhe dy poshtë fshatit Bistricë.

“Shqetësimi ynë, i banorëve atje janë hidrocentralet të cilat po ndërtohen në lumin Bistrica prej fshatin Selac ku fillon lumi i Sadravës. Lumi është fut komplet në gypa dhe është ndërtuar i pari hidorcentral, i dyti hidrocentral është ndërtuar diku mbi fshatin Bistricë. Tash po e dimë si banor çka ka ndodhë me lumin nalt atje. Por këtu po pretendohet me i maru edhe dy tjera poshtë fshatit Bistricë. Ne nuk kemi qenë të informuar për këto projekte çfarë janë veç kanë ardh i kanë sjell bagerat edhe janë fillu punimet pa e vet kërkon. Ne edhe sot nuk e dimë a kanë leje a s’kanë leje, veç po e shohim se e kanë shti nëpër gypa lumin. Dhe po mendoj që banorët me shumë të drejtë po reagojnë tash. Po pretendojmë me i ndal s`kena me leju me vazhdu më punimet”, tha Hetemi për Kallxo.

Gjithashtu Hetemi ka thënë se nuk ka pasur fare dëgjim publik për këtë projekt.

“S’ka pas dëgjim publik, ky hidrocentral ka hyrë edhe nëpër toka private të banorëve. Ne kemi me protestu fuqishem sepse këto nuk janë investime siç i quajnë ata, por janë shkatërrime. Këtu po përfitojnë vetëm investitorët. Shqetësimi jonë më i madhë është se po na detyrojnë me i lëshu trojet tona shekullore stërgjyshore me këto punime. Ne e kemi ujin e pijes prej atij lumi, bahqet, arat i ujisim prej atij lumi. Në të ardhmen pretendojmë edhe turizmi me u zhvillu, ndërsa pa atë lum ne nuk mund të mbijetojmë atje”, tha Hetemi.

Lumi Bistrica

Kallxo ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe është interesuar për ndërtimin e këtij hidrocentrali, por as pas dhjetë ditëve nuk ka marr përgjigjje nga kjo ministri.

Drejtori i ‘Hydroline’ Muhamer Ibrahimi. I kontaktuar ngaKALLXO.com, ka deklaruar se nuk do të ndërtohet asnjë hidrocentral në lumin Bistrica, ashtu siç pretendojnë banorët zonës.

“Në Bistricë nuk ka me u ndërtu asnjë hidrocentral, në Bistricë nuk ka absolutisht kurrfarë hidrocentrali. 2 km para se me hy në Bistricë është i përfunduar hidrocentrali. E di që ka ankesa, por asnjë nuk qëndrojnë, inspektorati ka dal në terren edhe jo një herë, por disa herë dhe asnjëherë prej atyre deklaratave që i kanë dhënë dhe ankesave. Edhe pse nuk ka ankesa një person po ankohet ish-punëtor i joni edhe ka dal prej pune për keqpërdorime të vazhdueshme dhe prej asaj kohe ja ka nis ai kryesisht me bo ankesa dhe i mbledh familjarët e vetë. Prej vitit 2016 që është t`u punu kurrë ankesa deri tash nuk ka pas absolut”, tha ai për Kallxo.com

Lumi Bistrica

Ndërsa Komuna e Mitrovicës e kontaktuar nga Kallxo në përgjigjen e kthyer ka thënë se pas shqyrtimit të raportit të komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve nga ‘Hidrocentrali Albaniku’ ka dal me disa rekomandime për MMPH, KOSTT dhe ZRRE ku ka kërkuar përpilimin e disa raporteve.

Kështu komuna ka kërkuar që të bëhet publike dosja e plotë e kushteve dhe pëlqimi mjedisor (ujor) që i është dhënë kompanisë për ndërtimin e HVC “Albanik“. Kuvendi i Mitrovicës poashtu ka kërkuar nga MMPH –ja dhe kompania që ka në pronësi dhe ka zbatuar projektin dokumentacionin e plotë për heqjen dhe depozitimin e gërmimeve (dheut) në të gjithë projektin, adresën e deponisë dhe volumet e depozitimit të dherave nga ky projekt.

Gjithashtu komuna ka kërkuar nga MMPH-ja që deri në hartimin e plotë të këtyre raporteve të pezullojë çdo aktivitet të mëtejshëm në HVC “Albaniku“.

Lumi Bistrica

Ndryshe me iniciativen e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Mitrovicës ka bërë kërkesë në Ministrinë e Mjedisit që të dalin në vendin e ngjarjes dhe të bëjnë një inspektim për punët që janë kryer dhe të dalin me një raport se si është gjendja atje.