Shkolla ne fshatin Rrenc - Dragash

Banorët e Rrencit nuk e duan edukatoren e përzgjedhur nga Drejtoria e Arsimit në Dragash

Nxënësit e klasës parashkollore në fshatin Rrenc të komunës së Dragashit kanë bojkotuar procesin mësimor për një muaj.

Kjo për shkak se ata dëshirojnë që edukatorja e tyre të jetë bashkëvendësja e jo edukatorja që është zgjedhur nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Dragashit.

Mirlinda Gërdella, nga fshati Rrenc thotë për KALLXO.com se prindërit po kundërshtojnë të sjellin fëmijët në shkollë pasi ajo nuk është zgjedhur në pozitën e edukatores, por është zgjedhur një  edukatore tjetër.

“Për arsye se unë jam prej këtij fshati ku është hapur klasa parashkollore për këtë vit, dhe asamblisti i fshatit tonë e ka dërguar kërkesën tek kryetari i Komunës me emrin tim, ka thënë që e kemi edukatoren dhe po dëshirojmë klasë parashkollore, se më herët ne nuk kemi pasur”, thotë Gërdella.

Gërdella shtoi se për shkak të parregullsive është pranuar dikush tjetër në vendin e saj.

“Kam kandiduar për këtë vend pune, i jam nënshtruar testit me shkrim dhe me gojë por për shkak të parregullsive ka ardhur dikush tjetër në vendin tim”, thotë Gërdella.

Ajo thotë se ka bërë ankesa në Drejtori dhe Inspektorat, por nuk ka marrë përgjigje.

Kërkesën e Mirlindës e përkrahin edhe banorët e fshatit Rrenc, të cilët kanë bërë peticion për të kërkuar që në pozitën e edukatores të jetë bashkëvendësja e tyre, Mirlinda Gërdella.

Sipas banorëve është më e përshtatshme që edukatorja e fshatit të tyre të punojë në këtë pozitë.

“Këtu duhet të jetë edukatorja e fshatit tonë për shkak se këtu janë dimra të mëdhenj, nuk mund të vije ajo prej fshatit tjetër duke e pasur edukatoren tonë këtu afër, edhe për ne edhe për nxënësit”, thotë Gërdella.

Ndërsa Shasivar Gërdella, banor i fshatit Rrenc thotë për KALLXO.com se edukatorja e fshatit tjetër e ka të vështirë të udhëtojë.

“Prindërit e fëmijëve dëshirojnë që edukatorja të jetë e fshatit. Duke e ditur që ky vend është vend malor, bie borë, shi, edukatorja tjetër nuk mundet me ardh, kjo është e fshatit. Edhe fëmijët janë më të lirë. Shkollën e ka përfunduar është edukatore e mirë”, thotë Gërdella.

Por, Flurim Qenaj drejtori i shkollës “Fetah Sylejmani” thotë se të gjitha procedurat rreth konkursit kanë qenë në rregull.

“Ne si drejtori kemi shpallur konkursin në bazë të rregullave procedurale. Para procesit të rekrutimit të kandidatëve, kemi zhvilluar të gjitha procedurat, është formuar komisioni, me kohë janë zhvilluar të gjitha procedurat, është zgjedhur kandidati, por prindërit e kanë bojkotuar procesin mësimor” , thotë Qenaj.

Ai shtoi se prindërit kanë bërë kërkesë në drejtori se janë të pakënaqur me përzgjedhjen e kandidates për paralelen në fshatin Rrenc.

Por sipas tij, të gjitha procedurat e vlerësimit dhe përzgjedhjes kanë shkuar në rregull dhe nuk ka pasur ndonjë parregullsi.

“Janë zhvilluar të gjitha procedurat në mënyrën më të mirë të rregullt. Nuk ka pasur asnjë shkelje procedurale të konkursit, është zbatuar në përpikëri  Udhëzimi Administrativ dhe ligjet në fuqi të  Ministrisë së Arsimit”, thotë Qenaj.

Drejtori ka bërë thirrje tek prindërit që të sjellin fëmijët në shkollë, pasi sipas tij në të kundërtën do të detyrohen të mbyllin paralelen.

“Nëse vazhdojnë ta bojkotojnë procesin mësimor, ne detyrohemi të mbyllim parashkolloren. Sepse ne punëtoren e kemi marrë tani nuk mund të marrim ndonjë vendim tjetër, nëse vazhdojnë prindër do të mbyllet klasa për parashkollorë në bashkëpunim me drejtorin e arsimit”, shprehet Qenaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit në komunën e Dragashit, Vloran Cenaj, cili thotë se nuk ka pasur ndonjë parregullsi në konkurs.

“Kandidatja e cila ka bërë ankesë ka qenë e fundit në listë sipas komisionit që ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve”, tha Cenaj për KALLXO.com.

Ai po ashtu shtoi se nxënësit të cilët kanë bojkotuar mësimin për një muaj kanë filluar mësimin  para dy ditëve, me edukatoren e cila është përzgjedhur nga Drejtoria e Arsimit në Dragash.