Banorët e dy fshatrave të Malishevës protestojnë, kërkojnë rregullimin e nënkalimit

Banorët e fshatrave Llazicë dhe Vërmicë të Malishevë përmes protestave kanë shprehur pakënaqësitë për rregullimin urgjent të nënkalimit i cili do t’ju ofronte qasje në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë.

Kështu ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje, dega në Malishevë të cilët po përkrahin mbledhjet e tyre,duke kërkuar nga qeverisja Komunale të realizoi kërkesat e qytetarëve të cilët kërkojnë zgjerimin e rrugës të nënkalimi në drejtimin Prishtinë-Pejë dhe në këtë mënyrë të mundësohet qasja nga rruga magjistrale për në fshat.

“Ky problem që është preokupim i qytetarëve nga ajo pjesë e territorit të komunës së Malishevës është adresuar vazhdimisht përmes kërkesave që i janë drejtuar institucioneve duke kërkuar zgjidhje, por që kërkesat e tyre janë injoruar në vazhdimësi si nga qeverisja komunale, ashtu edhe nga niveli qendror”, thuhet në njoftimin e LVV-së përmes një postimi në ‘Facebook’.

Sipas tyre, problematika nuk është zgjedhur edhe pasi që kuvendi komunal i Malishevës kishte shprehur gatishmërinë për financimin e rregullimi të këtij nënkalimit.

“Ky problem është adresuar së fundmi edhe përmes peticionit, ku është nënshkruar nga qytetarët dhe i cili është dërguar në Kuvendin Komunal dhe në zyrën e Kryetarit të Komunës. Më pastaj Kuvendi Komunal në mbledhjen e mbajtur me datë: 10.04.2019 e ka përkrahur kërkesën e tyre dhe e ka autorizuar Kryetarin Begaj dhe Drejtorinë e Urbanizmit që me një afat kohor brenda një muaji të koordinohen me Ministrinë e Infrastrukturës për të gjetur zgjidhje për këtë problem”, ka shkruar kjo parti tutje.

Lëvizja Vetëvendosje dega në Malishevë, ka thënë se banorët kërkojnë që kryetari të dëshmoi me dokumente se e ka adresuar dhe e ka trajtuar çështjen e nënkalimit së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës.

Kjo parti është shprehur e vendosur se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre do të shkaktojnë rritje të pakënaqësisë së qytetarëve dhe shtimin e protestave deri në realizimin e saj.