Banorët e Bujarisë Kërkojnë t’u Rihapet Kanali

Komuna e Lipjanit ua ka rregulluar kanalizimin disa fshatrave por gjatë punimeve është mbyllur një kanal, i cili largonte ujin e shiut, dhe si rezultat përmbyten shtëpitë e disa familjeve të fshatit Bujari sa herë ka të reshura.

Banori Shaban Haziri flet për KALLXO.com pë problemin me të cilin po ballafaqohen sa herë ka të reshura.

“Problemi i jonë kryesor është kanali për ujin e arave edhe shtrimi i kësaj rruge të cilën na e ka premtuar edhe kryetari. Këtu kanalizimin e ka rregulluar, tani me rregullimin e kanalit është shembur dheu dhe është mbuluar kanali që ka depërtuar uji që vjen prej fshatit Gllavicë dhe Marevc, tani me ardhjen e vërshimeve të ujit na i vërshon krejt shtëpitë edhe këtë rrugë”, tregon Haziri.

Edhe banori tjetër i fshatit, Xhezahir Latifi, thotë se kërkesa e tyre është të hapet ky kanal i ujit dhe që të shtrohet rruga me zhavorr.

“Kërkesat tona janë kanali i ujit me u hap që vjen prej Marevcit edhe kjo rrugë me u shtrua në zhavorr, por nëse nuk bëhet në zhavorr së paku kanali me u hap që mos me e dëmtuar fshatin”, tha Latifi.

Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit, Heset Sahiti, tha se është i njoftuar me problemet e fshatit Bujari dhe premtoi se brenda javës do të rregullohet ky problem.

“E di problemin që është në Bujari… Dimri nuk guxon me na zënë pa intervenuar në atë kanalizim dhe kemi me intervenu shumë shpejt, besoj brenda javës kryhet kjo”, tha Sahiti.

Lidhur me kërkesën për shtrimin e rrugës, Sahiti tha se duhet të pritet për këtë pasi që ajo tani është rrugë arash.

“Normalisht që kryetari e ka premtuar atë rrugë, me e asfaltu duhet me pritë edhe pak se ajo është rrugë arash për momentin po ajo mundet me qenë rrugë shumë me interes që në atë pjesë me u zgjerua edhe ndërtimet”, theksoi drejtori i Shërbimeve Publike.

Ky raport është përgatitur pas ankesës së qytetarëve në KALLXO.com.