FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Banka Botërore tregon arsyen e mos mbështetjes së 'TC Kosovës së Re'

Drejtori i Bankës Botërore në Prishtinë, Marco Mantovanelli, gjatë prezantimit të numrit më të ri të Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor ka thënë se Kosova duhet të shënojë përparim më të madh në rritjen e  vendeve të punës sepse sipas tij prodhimi nuk po bën progres në vende të reja të punës.

“Në veçanti në Kosovë kemi nevojë për rritje ekonomike me krijim të vendeve të reja të punës. Rruga përpara është mjaft stabile, por megjithatë ka disa cenueshmëri dhe këto janë të kategorizuar në të brendshme dhe të jashtme. Në frontin e jashtëm Brexit është mjaft i vështirë dhe që po krijon vështirësi në rritjen në Eurozonë. Brexit pa një marrëveshje mund të ketë implikime jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe për Evropën. Po monitorohet, sepse kjo mund të ketë ndikim në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor që varet shumë në tregti”, tha ai.

Mantovanelli ka kërkuar që të rritet efikasiteti i shpenzimeve në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.

Ai ndër të tjera ka folur edhe për projektin “Kosova e re”, ku tha se mundësia për të financuar projektet me bazë të thëngjillit është bërë i pamundur nga Banka Botërore. Kështu që Banka Botërore, sipas tij, synon mbështetjen e energjisë së ripërtëritshme.

“Nuk është një vendim që është marrë në bazë të kostos së projektit, por ka qenë një vendim që është marrë më gjerësisht, nga aspekti më i gjerë. Mundësia për të financuar projekte në bazë të thëngjillit, pra në elektranat që e përdorin thëngjillin është ngushtuar shumë, që është bërë gati i pamundur, ngaqë ne përfaqësohemi nga aksionarët e ndryshëm dhe shumica e tyre kërkojnë që me fondet tona që janë nga tatimpaguesit, të financohen drejt formave më të gjelbëruara”, shtoi Mantovanelli.