Bahri Nuredini, Foto: Jeta ne Kosove

Banesat dhe veturat e Bahri Nuredinit

Drejtori i Agjencionit për Shërbime të Navigimit Ajror, Bahri Nuredini nuk i ka ‘punët keq’ për nga pasuria e paluajtshme dhe  e luajtshme.

Mbi 100 mijë euro shkon vlera totale e banesave që Nuredini i ka në pronësi ndërsa veturat i arrijnë shifrën 12 mijë euro.

Kjo sipas deklarimit zyrtar të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ku paraqitet se Nuredini ka një banesë 120 metra katror në vlerë prej 90 mijë euro dhe një tjetër 68 metra katror në vlerë prej 51 mijë euro.

Ndërsa veturat llojet e të cilave nuk janë deklaruar kanë vlerën 8 mijë e 500 euro dhe përkatësisht 3 mijë e 500 euro.

Nuredini ka deklaruar se ka 5 përqind të aksioneve në kompaninë ‘Premium group Kosova sh.p.k’, kapitalin e të cilës e ka deklaruar 0 euro.

Drejtori i ASHNA-s thotë se ka një kredi prej 18 mijë e 220 euro në një bankë vendore ndërsa në të njëjtën ka vetëm 200 euro para të gatshme.

Nuredini merr nga ASHNA 30 mijë e 535 euro pagë vjetore dhe 2 mijë e 772 euro meditje.

Lidhur me pasurinë e këtij zyrtari dhe shumë parregullsi të tjera në punësim në ASHNA, ‘Jeta në Kosovë’ kishte realizuar disa emisione hulumtuese.

Në këtë emision ishte diskutuar edhe vendimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit që vlerësoi se një tender i dhënë nga ASHNA ndaj kompanisë “100 % Design”,  me pronarin e së cilës, Nuredini është bashkëpronar në kompaninë ‘Premium Group kishte konflikt interesi’.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ , në pjesën e tretë të hulumtimit, janë diskutuar dhjetëra raportime që kanë ardhur në KALLXO.com lidhur me punësimet familjare në ASHNA dhe në Aeroportin e Prishtinës.

Përballë Jeta Xharrës, Nuredini pranoi se kishte ndikuar për të punësuar vëllanë në kompaninë Aeroportin e Prishtinës të koncesionuar nga LIMAK.

Përveç kësaj, Nuredinit i janë punësuar edhe kushërinjtë e tjerë, disa në ASHNA e disa në LIMAK.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar- 3