Baltë dhe Asfalt në Miresh të Dobërçanit

Lagjja Miresh ka tri rrugë, ndërsa me planin e komunës ishte paraparë që secila prej tyre të asfaltohej në gjatësinë 500 metra.

Islam Riza që jeton në atë që quhet rruga e varrezave thotë se komuna dy rrugët tjera të lagjes i ka shtruar në gjatësinë 1 kilometër, ndërsa rrugën ku ai jeton e ka lënë në baltë.

“Po ne, problem kryesor e kemi këtë rrugë, infrastruktura në këtë vend është shumë e pazhvilluar, në nivel me thënë edhe zero,” tha Riza.

Ai tregoi për KALLXO.com se sa banorë kanë mbetur në pjesën e paasfaltuar të rrugës.

“Duhet me qenë prej 60 deri 70 banorë dhe pasi e kemi kuptuar që ka mbetë ashtu rruga, kemi qenë te kryetari i komunës,“ tregon Riza.

Ai bën të ditur se kryetari Lutfi Haziri ua ka premtuar asfaltimin, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ndërsa në Drejtorinë për Shërbime Publike thonë se kanë pranuar një kërkesë nga banorët e Lagjes së Mireshit dhe janë duke e trajtuar.

“Kemi pranuar një kërkesë së fundi nga qytetarët e Mireshit dhe jemi duke shikuar mundësitë buxhetore brenda projektit i cili ende nuk ka përfunduar për të gjetur një zgjidhje për ato 500-600 metra të paasfaltuara,” tha për KALLXO.com Enver Biqku zyrtar për komunikacion në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Gjilan.

Ai më tutje shtoi se së bashku me drejtorin për Urbanizëm Naser Korça shumë shpejt do të dalin në terren për të parë punët në realizim dhe për të parë gjendjen në pjesën që ka mbetur pa asfalt.

“Në koordinim me organin mbikëqyrës dhe Drejtorin për Urbanizëm në fund të projektit aktual do të shqyrtojmë edhe mundësinë për të shtruar zhavorr nëse mungojnë mjetet financiare,” tha Biqku.

Asfaltimi i rrugëve të lagjes Miresh që ka 140 banorë filloi në prill.

Në këtë lagje të Dobërçanit të Gjilanit sipas banorëve nuk është investuar nga komuna asnjë cent që 17 vjet, por lagjja është mirëmbajtur nga njerëzit që jetojnë aty.

Më 30 qershor 2014, Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për pastërtinë dhe investimet e banorëve në Dobërçan.

Dobërçani i Gjilanit-Fshati i Pastërtisë Zvicerane