Një efektive e Policisë shqiptare mbikëqyr studentët protestues që pasqyrohen në xhamat e syzeve të saj. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

'Ballkanasit i Besojnë Policisë Edhe Pse e Shohin si të Korruptuar'

Një sondazh i ri i publikuar sot nga një rrjet rajonal OJQ-sh, Pointpulse dhe Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, tregon se mbi gjysma e shtetasve të anketuar në Ballkanin Perëndimor – 58 për qind – besojnë te forcat policore në vend pavarësisht se i shohin ata si të korruptuar.

“Edhe pse më shumë se gjysma e qytetarëve kanë besim në polici, shumica e tyre i perceptojnë ata si të korruptuar – 58 për qind”, thotë sondazhi.

Anketa u zhvillua në Shqipëri, Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi dhe Kosovë gjatë muajve qershor dhe korrik te 6,000 persona të rritur.

Autorët e sondazhit e shpjegojnë idenë se policia është e korruptuar dhe e besueshme njëkohësisht për shkak të ndjesisë së qytetarëve se korrupsioni është gjerësisht i pranishëm në polici dhe se ata janë mësuar tashmë me këtë.

“Policia kufitare, ajo rrugore dhe policia kriminale, si dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të ministrave të brendshëm, veçohen si seksionet më të korruptuara të policisë, ndërsa njësitë speciale, punonjësit administrativë dhe punonjësit në çështjet e mbrojtjes së rendit publik janë më pak të prekshëm nga korrupsioni”, thotë sondazhi.

Qytetarët e Kosovës kanë më shumë besim në forcat e tyre policore – 69 për qind. Më pas renditet Mali i Zi, ku 65 për qind besojnë te policia dhe pastaj Shqipëria, ku niveli i besimit është 60 për qind. Në Serbi, shifra është 56 për qind dhe në Maqedoni, 54 për qind. Boshnjakët janë ata që kanë më pak besim te policia e tyre – vetëm 47 për qind.

Pulsi i Ballkanit Perëndimor për Integritetin dhe Besimin e Policisë, Pointpulse, është një rrjet rajonal i OJQ-sh nga Serbia, Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova, ku bën pjesë dhe BIRN Serbia. Ai u formua në vitin 2014 për të kontrolluar integritetin e policisë në Ballkanin Perëndimor.

Sondazhi i fundit tregoi se 65 për qind e shtetasve në Ballkanin Perëndimor besojnë se politikanët ushtrojnë një ndikim të madh ose dominues mbi punën e policisë.

“Sipas shtetasve, metoda më efektive për parandalimin e korrupsionit është ndëshkimi më i rreptë i atyre që bëjnë shkelje, sidomos i drejtuesve të policisë. Qeveria, ministrat e brendshëm dhe kontrolli i brendshëm i policisë janë përgjegjës për parandalimin e korrupsionit,” shton sondazhi.

Pointpulse nënvizoi se policitë e shteteve të ndryshme mund të mësojnë nga njëra-tjetra.

Një nga rekomandimet e anketës është që policitë në rajon të komunikojnë më efektivisht me qytetarët për të ndërtuar themelet e besimi.

“Është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për brezat e rinj që i shohin institucionet me sy më negativ sesa qytetarët më të vjetër në moshë”, theksoi Pointpulse duke tërhequr vëmendjen se mosha 18 deri në 29 vjeç kanë më pak besim te policia.

Sondazhi gjithashtu nënvizoi se njerëzit e shohin zgjidhjen e problemit të korrupsionit, të sjelljeve joprofesionale dhe favorizimeve në punën e policisë në duart e elitave politike të çdo shteti.

“Të anketuarit besojnë se qeveritë janë më përgjegjëse për luftimin e korrupsionit [20 për qind], pastaj vjen kontrolli i brendshëm i policisë [16 për qind], Ministri i Brendshëm [14 për qind] dhe Agjencia Kundër Korrupsion [11 për qind],” përfundoi raporti.