Tryeza e MAShT-it dhe Odës Ekonomike. Foto: KALLXO.com

Bajrami: Shkollimi t’i Përshtatet Tregut të Punës

“Definitivisht, Kosova ka një mundësi që duhet shfrytëzuar, e cila ka të bëjë me krijimin e një gjenerate me shkathtësi dhe kompetenca, të cilat i kërkon komuniteti i biznesit,” tha Bajrami në tryezën që Ministria e Arsimit organizoi me Odën Ekonomike të Kosovës.

Në tryezë u fol për lidhjen mes arsimit dhe punësimit.

Bajrami tha se shkollat në përgjithësi duhet të jenë vende edukimi dhe vende ku prodhohen punëtorë.

“Shkolla të jetë një model ku edukohet, praktikohet, ku ushtrohet, por edhe ku prodhohet,” tha Bajrami.

Për Ministrinë e Arsimit sipas Bajramit prioritet është lidhja e arsimit profesional me ekonominë në përgjithësi.

“Qeveria do të tentojë që përmes nxënësve me praktikë, përmes lidhjeve me biznese potencialisht të punësojë një numër më të madh të të rinjve,” tha Bajrami.

Ai përmendi një riorientim të arsimit profesional, pasi tha se në fusha të caktuara ka mungesë të personelit të kualifikuar në Kosovë.

“Jemi fokusuar tek arsimi profesional, për një riorientim që duhet ta bëjmë te nxënësit dhe studentët, që ata të orientohen drejt profesioneve të caktuara,” tha Bajrami.

Arban Abrashi, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se MAShT-i dhe komuniteti i biznesit kanë një rëndësi të madhe sa i takon bashkëpunimit, në mënyrë që zhvillimi i arsimit dhe aftësimi profesional të sigurojë kuadër me kompetenca profesionale për punësim.

Edhe  kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha se sistemi arsimor duhet të ndryshojë

“Ne na duhet reformë e sistemit arsimor që të kemi arsim për punësim,” tha Gërxhaliu.