Nga arkivi | Foto: KALLXO.com

Bajrami: Mësimdhënësit do të Vlerësohen Patjetër

Në konferencën përmbyllëse për vitin 2016 të MASHT-it, Bajrami paraqiti sukseset e arritura nga kjo ministri në këtë vit, së bashku me zotimet për vitin e ardhshëm.

Një nga projektet që u planifikua nga MASHT-i për vitin që po e lëmë pas ishte edhe testimi i mësimdhënësve që hasi në kundërshtime nga vetë mësimdhënësit dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim (SBAShK).

Një pjesë e  madhe e mësimdhënësve dhe kjo sindikatë madje paralajmëruan greva në punë nëse realizohet testimi i planifikuar.

http://kallxo.com/sbashk-15-mije-mesimdhenes-kunder-testit-te-performances/

Megjithatë, ministri Bajrami vlerësoi se një nga faktorët kyç për rezultatet e dala nga testi PISA për Kosovën është edhe performanca  e mësimdhënësve që sipas tij duhet të testohet patjetër.

“Mendoj se rezultatet PISA të cilat unë edhe i kisha parashikuar tregojnë se sa ka qenë i nevojshëm vlerësimi i performancës së mësimdhënësve. Profesioni i mësimdhënësve është profesion shtetëror, profesion publik dhe secila familje është e interesuar për atë se kush edukon fëmijët tanë,” deklaroi Bajrami.

Programi  Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA), në rezultatet e dala më 6 dhjetor e rangoi Kosovën në tre vendet e fundit për nga performanca e nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, matematikë dhe lexim.

http://kallxo.com/testi-pisa-77-e-nxenesve-15-vjec-sdine-lexim/

Duke folur për të arriturat në arsimin parauniversitar, ministri Bajrami ka përmendur 5 shtyllat kryesore: miratimin e Strategjisë Kombëtare për Ngritjen e Cilësisë, përfundimin e pilotimit të kurrikulës së re dhe shtrirjen e saj në nivel kombëtar, rishikimin e teksteve shkollore, ku janë evituar parregullsi në 86 tekste, miratimin e Planit Strategjik për Zhvillimin e Arsimit 2017- 2021 (dokument i përgatitur nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe i mbështetur nga partnerët evropianë), ndërtimin e Kornizës së Zhvillimit Profesional të Mësimdhënësve dhe vendosjen e parimit të performancës.

http://kallxo.com/bajrami-arsimim-cilesor-deri-ne-2020-en/

Sipas Bajramit, cilësia në arsim do të ngrihet, ndërsa testi PISA 2018 do ta dëshmojë këtë.