Bajrami: Arsimim Cilësor deri në 2020-ën

Ministri i Arsimit Arsim Bajrami në ditën kur u prezantuan dokumentet kurrikulare dhe udhërrëfyesi për zbatim të tyre, u zotua se Kosova do të arrijë të ketë edukim cilësor deri në vitin 2020.

“Ne deri në vitin 2020 do të realizojmë atë që është prioritet kombëtar, pra një edukim cilësor dhe kjo është gjëja më e mirë që i ndodh vendit tonë, sepse duke krijuar një rini te arsimuar ne i japim ekonomisë sonë, industrisë sonë një kapital të përgatitur jetësor i cili nesër do të mund të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik dhe në tranzicionin e përgjithshëm,”tha ministri Bajrami.

Sot Ministria e Arsimit prezantoi dokumentet e rishikuara kurrikulare: Kornizën Kurrikulare, Kornizën- Bërthamë për Nivelet -1, 6 dhe 10, Udhërrëfyesin për Zbatim si dhe Kornizën e Vlerësimit të Performacës së Shkollës.

Me këto dokumente Arsim Bajrami tha se po kryhet një proces i nisur në vitin 2013.

“Kjo është një ngjarje e rëndësishme për Ministrinë e Arsimit për strukturën e arsimit, sepse sot po kurorëzojmë një proces shumë të rëndësishëm  në kornizën e kurrikulës dhe kornizën lëndore, proces i filluar në vitin 2013 me shumë skepticizëm,” tha Bajrami.

Udhërrëfyesi për zbatimin e kurrikulave parashikon zgjerimin e pilot-projekteve që aktualisht zbatohen në 95 shkolla, në të gjitha shkollat e Kosovës.

“Pra sot po trasojmë rrugën se si do ta ndërtojmë edukimin, arsimimin cilësor me shumë përgjegjësi përmes një procesi shumë të përgjegjshëm qe është zhvilluar nga njerëz profesionistë të arsimit,” tha ministri Bajrami.

Në konferencën e MASHT-it u tha se do t’i kushtohet rëndësi arsimit profesional, pasi ky arsim siguron punësim dhe lidhje me tregun e punës.

Ministri Arsim Bajrami vazhdimisht ka deklaruar se arsimi profesional është shumë i rëndësishëm.

http://kallxo.com/bajrami-prioritet-arsimi-fillor-dhe-ai-profesional/

http://kallxo.com/arsimi-profesional-nuk-po-nderlidhet-me-ekonomine/

Redaktoi Bekim Muhaxheri