Bajram Hasani, NISMA,Gjilan

Bajram Hasani largohet nga NISMA: Drejtuesit ndërruan faqe sapo shijuan privilegjet e pushtetit dhe parasë

Ish-Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, sot është larguar zyrtarisht nga çfarëdo pozite që mbante në partinë NISMA.

Këtë ai e ka bërë të ditur përmes llogarisë së tij në rrjetin social Facebook, ku edhe ka treguar arsyen e largimit.

Hasani tha se kur i ishte bashkuar NISMA’s, nuk kishte kursyer asgjë, as financiarisht.

“Ata me të cilët e kaluam këtë rrugë të gjatë, të vështirë e plot sfida ndërruan faqe sapo shijuan privilegjet që t’i jep pushteti e paraja. Nuk desha dhe kurrë nuk do të dua të shkelë mbi djersën e njerëzve më të mirë të këtij vendi. Prandaj rrugët tona u ndanë. Kush më njeh e di mirë që unë kur e mbylli një kapitull nuk e kthej kokën prapa dhe as që dua të diskutoj, sepse nuk kam frikë nga asnjë gjë që e kam bërë gjatë punës.”, ka thënë ai.

Arsyeja e largimit sipas ish-ministrit, është drejtimi i kundërt në të cilin po shkon ai dhe udhëheqësit e kësaj partie.

Hasani më tej ka njoftuar përkrahësit e tij se do të vazhdojë të jetë pjesë e politikës.

“Kosova ka nevojë për njeriun e ndershëm, punëtorë dhe që e do këtë vend jo vetëm kur të ofron privilegje, por që je i gatshëm kurdoherë për të. Lufta jonë tash e tutje është për ta mbrojtur atë që u ndërtua mbi gjakun dhe mundin e shumë qytetarëve.”, sqaroi më tej ai.

Bajram Hasani mbante pozitën e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, deri në shtator të vitit të kaluar, kur edhe ishte shkarkuar nga Partia NISMA.