Naim Bajraktari - Foto: KALLXO.com

Bajraktari: Faktori kryesor i vdekjeve në vendin e punës, mosedukimi për siguri

Në Kosovë, në 15 muajt e fundit vdekjen në vendin e punës e kanë gjetur 24 punëtorë.

Rasti i fundit ku një punëtor humbi jetën në vendin e tij të punës është ai i 22 vjeçarit Krenar Jemini nga Mushtishti i Suharekës.

Inspektorati i Punës gjeti 5 shkelje në vendin e ngjarjes pas tragjedisë së 24 shkurtit.

Për këto shkelje, trupa inspektuese gjobiti kompaninë e derivateve “Lab- Oil” me 9 mijë e 500 euro.

Njëra nga shkeljet që evidentoi Inspektorati i Punës te kompania “Lab- Oil” ishte mosofrimi i trajnimeve përkatëse për siguri dhe shëndet në punë, siç obligon edhe Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë.

E njëri prej shkaktarëve kryesor për vdekjet në vendin e punës në përgjithësi në vendin tonë po konsiderohet mosedukimi mbi shëndetin dhe sigurinë në punë.

Naim Bajraktari nga kompania për Siguri dhe Shëndet në Punë “HSK”, thotë se faktori kryesor i vdekjeve në vendin e punës është mosedukimi i punonjësve për rreziqet në vendin e punës.

Sipas tij, numri i kompanive private që u ofrojnë trajnime punëtorëve për siguri dhe shëndet në punë është i vogël.

“Por, faktori kryesor për vdekjet në vendin e punës është faktori edukim, pra edukimi mbi shëndetin dhe sigurinë në punë. As 2 apo 3 për qind e kompanive private në Kosovë nuk e kanë kryer trajnimet e punëtoreve për shëndet dhe siguri në punë. Të gjitha e presin që të shkojë inspektori dhe t’ua kërkojë atë. Sipas asaj çfarë di unë, janë 300 apo 400 kompani që i kanë kryer shërbimet e trajnimeve për siguri dhe shëndet në punë nga numri total”, thotë Bajraktari në një bisedë për KALLXO.com.

Ndërsa, sipas tij, gjendja më e rënduar vazhdon të mbetet sektori i ndërtimtarisë.

Bajraktari thotë se tragjeditë në vendin e punës po prekin më shumë moshat e reja dhe kjo për një arsye.

“Sipas të dhënave që unë kam, shumica e personave të vdekur në vendin e punës janë nën moshën 30 vjeçare. Pse po ndodhin këto vdekje te të rinjtë e jo te të vjetrit, jo pse të vjetrit janë më të edukuar për siguri dhe shëndet në punë, por më i vjetri duke iu falënderuar përvojës në punë ai di të sillet ndryshe, si në skele në ndërtimtari, ndërsa ky i riu nuk i di rreziqet që e presin”, thotë tutje eksperti për siguri dhe shëndet në punë.

“Të rinjtë nuk janë shumë të fokusuar në punë, nuk kanë qëndrueshmëri, punojnë për disa muaj dhe kjo është njëra prej arsyeve të fatkeqësive, ata nuk kanë përqendrim. Unë them që edhe përdorimi i telefonave në vendin e punës mund të jetë një shkaktar tjetër. Shumë kompani që kemi vizituar ua kanë ndaluar dhe ky është një veprim shumë i mirë”, vlerëson tutje ai.

Sipas Bajraktarit, fatkeqësitë në vendin e punës nuk vijnë vetëm për shkak të punëtorëve por edhe për shkak të punëdhënësve që nuk ofrojnë trajnimet e duhura për ta.

“Fatkeqësitë në vendin e punës kanë ndodhur jo vetëm për shkak të punonjësit, por edhe për shkak të punëdhënësve. Vetëdijesimi i punëdhënësit duhet të jetë i tillë, siç e thotë edhe ligji që, punëtori mos të futet në punë pa qenë i trajnuar për sigurinë dhe shëndetin në punë. Na duket një trajnim i vogël e fillestar, por çdo punëtor para se të fillojë punën duhet ta kryejë atë, të ketë kontrollet shëndetësore dhe të kryejë trajnimin për siguri dhe shëndetin në punë”, vlerëson ai.

Tutje, ai thotë se gjendja e sigurisë dhe shëndetit në punë në Kosovë mbetet e rëndë.

Për të përmirësuar gjendjen Bajraktari thotë se duhet të shpeshtohen inspektimet nëpër kompanitë që nuk u ofrojnë trajnimet për siguri dhe shëndet në punë punonjësve të vetë.

“Gjendja në përgjithësi sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë, për mos të thënë alarmante, por është jo e mirë, fare e mirë. Kultura e sigurisë dhe shëndetit në punë ka ekzistuar para luftës në Kosovë në çdo ndërmarrje e ka pasur sektorin e shëndetit në punë. Por, në shtetin e ri tonin deri në vitin 2016 nuk e kemi pasur, tash kjo është shumë e varur nga Inspektorati i Punës. Ai duhet të kërkojë më shumë nga kompanitë që t’i trajnojnë punëtoret për siguri dhe shëndet në punë”, thotë ai.

Pse është i rëndësishëm trajnimi për siguri dhe shëndet në punë?

Ambienti i punës mund të sjellë rreziqe në dy forma sipas Bajraktarit. Të dukshmet dhe ato të padukshmet.

“Vetë trajnimi i punëtorëve do të thotë edukim. Asnjë punë s’mund të bëhet pa një edukim dhe vetë edukimi është një vetëdijesim. Llogaritet që çdo person që hynë në punë ta ketë një zanat të vetin, por kjo nuk do të thotë se ai do të jetë i njoftuar me rreziqet ku do të punojë. Ambienti i punës, rreziqet, ndriçimi, kushtet mikroklimatike që duhet t’i dijë ai. Po ashtu, duhet të dijë rreth tavolinës së punës, lartësia e saj, karrigia. Pra, të gjitha këto janë pjesë që ndikojnë në sigurinë dhe shëndetin në punë”, tha ai për KALLXO.com.

“Fatkeqësitë që po ndodhin në ndërmarrje ndërtimore janë ato që po shihen, quhen fatkeqësi të momentit, por i kemi fatkeqësitë tjera që ndodhin në punë e që quhen sëmundje profesionale, që do na vijnë më vonë dhe këto janë shumë më të rrezikshme”, nënvizon eksperti për siguri dhe shëndet në punë.