Foto: AFP/BBC

Baghdad, lideri i ISIS-it shfaqet pas pesë viteve në një video

Një person që besohet të jetë udhëheqësi i të ashtuquajturit Shtetit Islamik (IS), ka bërë një paraqitje të rrallë para kamerave duke u zotuar që do të kërkojë hakmarrje për humbjen e territorit të saj, raporton BBC.

Abu Bakr al-Baghdadi nuk është parë që nga viti 2014, kur ai shpalli nga Mosuli krijimin e një “kalifati” nëpër pjesë të Sirisë dhe Irakut.

Në këtë video të re, ai pranon humbjen në Baghuz, bastionin e fundit të ISIS-it në rajon.

Nuk është e qartë se kur u regjistrua video. ISIS thotë se kjo video u xhirua në prill.

Pamjet janë postuar në rrjetin mediatik al-Furqan të grupit militant.

Sipas Agjencisë së Lajmeve Reuters, Baghdadi thotë se sulmet në ditën e Pashkëve në Sri Lanka u kryen si hakmarrje për humbjen e qytetit Baghuz të Irakut.

Ai gjithashtu ka thënë se ka i është zotuar besnikëri nga militantët në Burkina Faso dhe Mali dhe flet për protesta në Sudan dhe Algjeri – duke pretenduar se xhihadi është e vetmja zgjidhje për “tiranët”. Në këto dy vende, liderët afatgjatë janë rrëzuar këtë muaj.

Megjithatë, imazhi i Baghdadit zhduket në fund të videos dhe luhet një regjistrim audio i tij që flet për sulmet në Sri Lanka, duke sugjeruar që kjo pjesë është regjistruar pas videos kryesore të filmuar.

Baghdadi – një irakian, emri i vërtetë i të cilit është Ibrahim Awwad Ibrahim al-Badri – u dëgjua për herë të fundit në një incizim audio në gushtin e kaluar.

Në atë kohë, duket se po përpiqej të tërhiqte vëmendjen nga humbjet e territoreve nga ISIS, ka thënë Martin Patience, korrespondenti i BBC-së në Lindjen e Mesme.

Por kjo video e fundit prej 18 minutash adreson humbjet e vazhdueshme.

“Beteja për Baghuzin ka mbaruar”, thotë ai, përpara se të shtojë: “Do të ketë edhe shumë gjëra pas kësaj beteje”.

Përgatiti: Dorentina Kastrati